Kryeministri portugez, Luis Montenegro. Fotografia: Facebooku i tij
Portugalia heq taksat për rininë që ta ndalë 'ikjen e trurit'
Portugalia ka dalë me një propozim të ri për ta ndalur ikjen e trurit nga vendi: një dekadë me heqje progresive taksash për të rinjtë, përfshirë heqjen e të gjitha taksave në vitin e tyre të parë të punës, ka raportuar më 10.10.2024 britanikja “The Guardian”.
Qeveria e pakicës e qendrës së djathtë e kryeministrit Luis Montenegro po heq taksën e propozuar prej 15 për qind për të ardhurat për grupmoshën 18-35 vjeç dhe po e zëvendëson me një skemë progresive të ngjashme me atë të mbështetur nga socialistët në opozitë.
Sipas planeve, që do të jenë pjesë e buxhetit të vitit 2025, punëtorët deri në 35 vjet dhe që fitojnë deri në 28 mijë euro në vit, do të kenë lirim 100 për qind prej taksës në të ardhura në vitin e tyre të parë të punës, duke rënë në 75 për qind prej vitit të dytë deri në të pestin, 50 për qind në ndërmjet vitit të gjashtë dhe të nëntë, dhe 25 për qind pastaj.
Paga mesatare vjetore në Portugali sillet rreth 20 mijë euro dhe taksat e të ardhurave dallojnë prej 13 deri në 48 për qind. Qeveria llogarit se skema do të kishte kosto prej 645 milionë eurosh më 2025, derisa ndërsa tavani do të shkonte deri në një miliard euro.
Nisma synojnë t’ia presin hovin ikjes së rinisë në Portugali. Sipas Observatorit të Emigrimit, rreth 850 mijë të rinj – 30 për qind prej tyre nga 15 në 39 vjeç – janë larguar nga vendi në një moment, dhe po jetojnë jashtë vendit për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve të këqija të punës në vendlindje. Vendi ka popullsia prej 10.4 milionë banorësh.
Megjithëse shkalla e përgjithshme e papunësisë ka rënë në 6.1 për qind në çerekun e dytë të vitit 2024, në mesin e të rinjve ishte pothuajse katërfish më e lartë me 22 për qind.
Kryeministri Montenegro ka thënë se Portugalia duhet të sigurohet që rinia e saj “të mund të gjejë një mundësi” në vendlindje, me qëllim që të mos detyrohen t’ua kthejnë shpinën familjeve dhe miqve për të kërkuar mundësi më të mira ekonomike jashtë vendit. “Ia vlen të besosh në Portugalinë”, ka deklaruar ai në gusht. “Ne jemi të zotë të bëjmë në Portugali çfarë shpesh jemi të zotë ta bëjmë jashtë vendit”.
Vështirësitë për të siguruar banim të qëndrueshëm, që është vështirësuar edhe më shumë prej përpjekjeve të Portugalisë për të rimarrë veten prej pasojave të krizës financiare të vitit 2008, duke përqafuar derregullimin dhe joshje të investimeve të huaja, ka rezultuar me një seri protestash në vitet e fundit.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com