Crowd different people seamless background. Large group of citizen in flat style with shadows. Vector illustration men and women set

Popullsia e Kinës shënon rënie për herë të parë që nga viti 1961

Popullsia e Kinës ka shënuar rënie për herë të parë në 60 vjet, me normën kombëtare të lindjeve që ka arritur një rekord të ulët – 6.77 lindje për 1000 njerëz.

Popullsia e Kinës në vitin 2022 ishte 1.4118 miliardë – ka shënuar rënie me 850,000 krahasuar me vitin 2021.

Shkalla e lindjeve në Kinë ka qenë në rënie prej vitesh, duke nxitur një sërë politikash për ta ngadalësuar trendin.

Por shtatë vjet pas heqjes së politikës së një fëmije, ajo ka hyrë në atë që një zyrtar e përshkroi si një “epokë të rritjes negative të popullsisë”.

Shkalla e lindjeve në vitin 2022 ishte gjithashtu në rënie nga 7.52 në vitin 2021, sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës, e cila publikoi shifrat të martën.

Për krahasim, në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara regjistruan 11.06 lindje për 1000 njerëz, dhe në Mbretërinë e Bashkuar, 10.08 lindje. Shkalla e lindjeve për të njëjtin vit në Indi, e cila është gati ta kalojë Kinën si vendi më i populluar në botë, ishte 16.42.

Vdekjet gjithashtu i tejkaluan lindjet për herë të parë vitin e kaluar. Kina regjistroi shkallën e saj më të lartë të vdekjeve që nga viti 1976 – 7.37 vdekje për 1000 njerëz, nga 7.18 sa ishte një vit më parë.

Të dhënat e mëparshme të qeverisë kineze kishin paralajmëruar një krizë demografike, e cila në terme afatgjata do ta tkurte fuqinë punëtore të Kinës dhe do ta rriste barrën mbi kujdesin shëndetësor dhe kostot e tjera të sigurimeve shoqërore.

Rezultatet nga një regjistrim një herë në dekadë i shpallur në vitin 2021 treguan se popullsia e Kinës po rritej me ritmin e saj më të ngadaltë në dekada. Popullsitë gjithashtu po zvogëlohen dhe plaken në vende të tjera të Azisë Lindore, të tilla si Japonia dhe Koreja e Jugut.

Me kalimin e viteve, tendencat e popullsisë së Kinës janë formësuar kryesisht nga politika e diskutueshme e një fëmije, e cila u prezantua në vitin 1979 për ta ngadalësuar rritjen e popullsisë.

Familjet që i shkelnin rregullat gjobiteshin dhe në disa raste humbisnin punën. Në një kulturë që historikisht i favorizon djemtë mbi vajzat, kjo politikë kishte rezultuar gjithashtu në aborte të detyruara dhe një raport të zhdrejtë gjinor të raportuar nga vitet 1980.

Politka e një fëmije u hoq në vitin 2016 dhe çiftet e martuara u lejuan të kishin dy fëmijë. Vitet e fundit, qeveria kineze ofroi gjithashtu ulje taksash dhe kujdes më të mirë shëndetësor për nënën, ndër stimuj të tjerë, për ta rikthyer ose ngadalësuar rënien e nivelit të lindjeve./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala