Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Pompeo për 12 vjetorin e Pavarësisë: Sovraniteti i Kosovës kritik për stabilitetin në Ballkan

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka uruar shtetin e Kosovës për 12 vjetorin e Pavarësisë.

Pompeo ka  thënë se për më shumë se një dekadë, SHBA-ja dhe Kosova kanë gëzuar një partneritet të fortë, bazuar në vlera të përbashkëta, ndërsa theksoi se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës mbesin kritike për stabilitetin në rajon.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin Kosovën në udhëtimin tuaj drejt integrimit në institucionet Transatlantike dhe do të vazhdojnë të punojnë për të forcuar sundimin e ligjit, për të shtypur korrupsionin dhe për të nxitur prosperitetin ekonomik për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Pompeo.

Po ashtu, Pompeo ka thënë se pas formimit të qeverisë së re, Kosova ka një mundësi për të realizuar potencialin e plotë, si për qytetarët ashtu edhe marrëdhëniet me vendet fqinje.

“Jemi inkurajuar nga ngjarjet e fundit që sinjalizojnë një lëvizje drejt lehtësimit të investimeve, turizmit, dhe lidhjeve tregtare dhe njerëz-me-njerëz me Serbinë, të cilat parashtrojnë bazat për përparim të mëtejshëm në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në të ardhmen e afërt”, ka thënë Mike Pompeo.