Polonia është e gatshme t’i dërgojë katër avionë MiG-29 në Ukrainë

Polonia është gati t’i dërgojë katër avionë MiG-29 në Ukrainë. Presidenti polak, Andrzej Duda, tha se Varshava do t’i dorëzojë katër avionë luftarakë të prodhimit sovjetik në ditët në vijim dhe se “pjesët e tjera janë duke u përgatitur, servisuar”. Njoftimi i tij do ta bëjë Poloninë vendin e parë që do të dorëzojë avionë luftarakë në Ukrainë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në rritje në mbështetjen ushtarake për Kievin.

Vendimi i Polonisë për t’i dhënë Ukrainës avionët luftarakë MiG-29 është një “vendim sovran”, thuhet nga Shtëpia e Bardhë dhe nuk do ta nxisë presidentin amerikan Biden ta furnizojë Kievin me avionë amerikanë F-16. Presidenti amerikan ka thënë më parë se SHBA nuk do t’i sigurojë avionët luftarakë F-16 të kërkuar nga Ukraina në luftën e saj kundër Rusisë. Të enjten, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë John Kirby ka deklaruar se njoftimi i Presidentit Duda “nuk e ndryshon kalkulimin tonë në lidhje me aeroplanët F-16”.

Rusia ka kryer një gamë të gjerë krimesh lufte në Ukrainë, duke përfshirë vrasjet me dashje, torturat sistematike dhe dëbimin e fëmijëve, sipas një raporti nga një hetim i mbështetur nga OKB-ja botuar të enjten. Raporti i Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar të Hetimit mbi Ukrainën u publikua një vit pas bombardimit rus të një teatri në qytetin juglindor të Ukrainës, Mariupol, ku mbetën të vrarë qindra njerëz. Shefi i saj tha se ekipi po i ndjek provat dhe se ka “disa aspekte që mund të ngrenë pikëpyetje” në lidhje me gjenocidin e mundshëm. Rusia e ka hedhur poshtë raportin e lartcekur.

Pentagoni e ka publikuar një video përmes së cilës tregohen momentet para se një avion luftarak rus të përplasej me një dron amerikan Reaper pasi e spërkati atë me karburant avioni të martën në mëngjes mbi Detin e Zi. Pamjet e deklasifikuara tregojnë një avion Su-27 Flanker duke bërë dy kalime jashtëzakonisht të afërta të dronit pa ekuipazh, duke spërkatur karburant përpara tij, një taktikë ngacmimi që ekspertët amerikanë thonë se nuk është parë më parë.

Zëdhënsësi i Kremlinit zyrtar ka thënë se një vendim nëse do të tërhiqej droni i rrëzuar amerikan Reaper nga Deti i Zi do të bëhet nga ushtria ruse. “Nëse ata e gjykojnë të nevojshme ta bëjnë këtë në Detin e Zi për interesat tona dhe për sigurinë tonë, ata do të merren me këtë”, ka deklaruar të enjten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se ai dhe diplomati i lartë kinez Qin Gang e kanë diskutuar “rëndësinë e parimit të integritetit territorial” gjatë një telefonate të bërë. 

Ndërkohë diplomati i lartë kinez Qin i tha Kulebas se Kina “shpreson që të gjitha palët të mbeten të qeta, racionale dhe të përmbajtura dhe t’i rifillojnë bisedimet e paqes sa më shpejt të jetë e mundur”, sipas një deklarate të ministrisë së jashtme kineze.

Presidenti kinez, Xi Jinping, pritet ta vizitojë presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë javën e ardhshme dhe më pas të zhvillojë një takim virtual me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiyn.

Autoritetet polake thonë se kanë arrestuar nëntë anëtarë të një rrjeti spiun rus, të cilët thonë se po mblidhnin informacione mbi furnizimet me armë në Ukrainë dhe po bënin plane për t’i sabotuar dërgesat. Gjashtë persona janë akuzuar për përgatitje të akteve të sabotimit dhe spiunazhit, ndërsa ndaj tre të tjerëve po përgatiten akuza.

OKB-ja bëri thirrje për një rinovim 120-ditor të një marrëveshjeje që lejon eksportin e sigurt të dërgesave të grurit nga portet e Detit të Zi të Ukrainës përpara një afati përfundimtar më vonë këtë javë. Në përgjigje të komenteve të zëdhënësit të OKB-së, Stéphane Dujarric, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se marrëveshja “po zgjatet për 60 ditë”.

Vladimir Putin u ka thënë miliarderëve kryesorë të vendit të tij se Rusia po përballet me një “luftë sanksionesh”. Në një fjalim drejtuar elitës së biznesit të Rusisë, presidenti u kërkoi atyre të investojnë në teknologji të reja, objekte prodhimi dhe ndërmarrje për ta ndihmuar Rusinë t’i tejkalojë ato për të cilat ai tha se janë përpjekjet perëndimore për ta shkatërruar ekonominë e saj.

Të paktën një person është vrarë dhe dy të plagosur në një shpërthim dhe zjarr në një ndërtesë që i përket shërbimit të sigurisë ruse FSB në qytetin jugor të Rostov-on-Don, sipas zyrtarëve të cituar nga agjencitë ruse të lajmeve. 

Ushtarët ukrainas rrëzuan një dron të prodhimit kinez pranë qytetit të Sloviansk në Ukrainën lindore. Aeroplani pa pilot u nis nga territori i mbajtur nga Rusia të premten mbrëma, përpara se të rrëzohej nga një lartësi e ulët nga forcat ukrainase në orët e para të së shtunës./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala