Poloni, gjobë mbi 580,000 dollarëshe çdo ditë që vazhdon puna e paligjshme në minierat e qymyrit

 

Polonia detyrohet të paguajë një gjobë prej 500,000 eurosh (586,000 dollarë) çdo ditë që qymyri vazhdon të nxjerrët në minierat e hapura afër kufijve me Çekinë dhe Gjermaninë. Kështu raporton CNN për vendimin që u mor të hënën nga Gjykata e lartë evropiane.

Komisioni Evropian e urdhëroi Poloninë t’i ndalojë operacionet në minierën Turów të linjitit në maj të këtij viti kur Republika Çeke kishte ngritur padi për këtë çështje.

Polonia deri tash iu ka nënshtruar këtij urdhri, dhe përmes një deklarate të lëshuar të hënën, Qeveria polake ka thënë që ata do të vazhdojnë në këtë mënyrë edhe pse kjo do të thotë që do të paguajnë një gjobë ditore.

“Qeveria e Polonisë nuk do ta mbyllë minierën Turów. Që nga fillimi ne kemi qenë të mendimit që pezullimi i punimeve në minierë do të ishte kërcënim për stabilitetin e sistemit energjetik të Polonisë”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë polake, Piotr Mueller.

Miniera Turów furnizon me energji rreth 2.3 milionë shtëpi polake, sipas kompanisë shtetërore që zhvillon punimet në minierë. Ajo është gjithashtu një shtyllë e rëndësishme vendore e punësimit – një në dy vende pune në rajonin ku gjendet miniera janë të varura drejtpërdrejtë nga ajo, ose lidhen në mënyrë indirekte me të.

Mirëpo për një kohë të gjatë miniera ka qenë qendër e debateve ndërkombëtare. Kjo minierë gjendet në një kënd të Polonisë, pikërisht në kufirin me Gjermaninë dhe Republikën Çeke. Dy vendet fqinje kanë bërë përpjekje për ta mbyllur këtë minierë për shkak të shqetësimeve që lidhen me mbrojtjen e ambientit, edhe pse edhe ato e përdorin qymyrin për energji.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, në vitin 2019 80% të energjisë vendase në Poloni janë prodhuar prej qymyrit, përderisa në Çeki prej qymyrit janë prodhuar 54% të energjisë dhe në Gjermani 43%.

Qeveria Çeke e ka përgëzuar gjykatën për vendimin e marrë të hënën. Ministri i Jashtëm, Jakub Kulhanek, përmes Twitter-it tha se e mirëpret këtë gjykim dhe se vendi i tij është i gatshëm të negociojë me Poloninë për të ardhmen e minierës, por gjithmonë duke mbajtur në mend se çështjet e ambientit do të jenë prioritet.

Këtu përfshihet edhe ndikimi i ndryshimeve të klimës në minierë. Linjiti, ndonjëherë i quajtur “qymyr i kaftë” për shkak të ngjyrës, është lloji më pak efiçient i qymyrit e gjithashtu ai që krijon më së shumti ndotje. Ai ka vlera djegëse të ulëta dhe lëshon më shumë gazëra të dëmshme në krahasim me qymyrin e shtresuar gjeologjik që ka qëndruar më gjatë nën tokë.

Bashkimi Evropian ka thënë se dëshiron ta largojë komplet qymyrin prej përdorimit deri në vitin 2030, gjë që Polonia është deklaruar se nuk do të mund ta bëjë. Kjo çështje vazhdon të krijojë tensione mes shteteve anëtarëve të BE-së

Lajmin e plotë mund ta gjeni këtu – LINK

Përkthyer nga Vesa Ferizi – KALLXO