Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Politikat që do t’i shtyjnë përpara kandidatet për asambliste të Istogut

Kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Istogut, në Debat Pernime kanë prezantuar politikat dhe prioritetet e tyre nëse marrin mandat nga zgjedhjet e 17 tetorit.

Delvina Sylaj kandidate e LDK-së për asambliste theksoi se fokus kryesor do ta ketë emancipimin e gruas dhe përkrahjen e të rinjve dhe të rejave të komunës.

“Së pari do të filloja me një kontribut, i bazuar në rritjen e numrit të grave në pozita vendimmarrëse. Do të vazhdoja me përkrahjen e grave në biznese dhe këtë do ta bënim përmes planprogramit tonë me subvencione dhe grante, për të vazhduar për nënat lehona me pako prej 120 euro”, tha ajo.

Kurse, Fjoralba Raci nga LVV-ja tha se prioritet do ta ketë fushën e urbanizimit dhe politikat e zhvillimit përmes së cilave synohet që qytetarëve tu sigurohet zhvillim ekonomik me vende të reja të punës.
Ajo premtoi përkushtime dhe për mjedis dhe infrastrukturë e shërbime të mira për qytetarët.

Ndërkaq, Jehonë Mehmetukaj nga AAK-ja, kandidate për asambliste theksoi se do të ketë prioritet barazinë gjinore.

“Vazhdojmë tutje me mbështetje prej 300 euro për foshnjat e posalindura. Subvencionin e bizneseve që udhëhiqen nga gratë, mbështetje për personat me nevoja të vecanta dhe bursa për studentët, sportistët”, tha mes tjerash ajo.

Në anën tjetër, Lirije Demiri-Sadikaj nga PDK-ja tha se nëse bëhet asambliste do të ketë fokus rininë.

“Pasurinë tonë që e kemi, rininë tonë mos tua falim vendeve të tjera, porta mbajmë për vete”, tha ajo, duke shtuar se do të mbështesin gratë po ashtu.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Istogut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Istogut, Agron Avdijaj nga LVV; Ali Nimanaj nga PDK; Bekë Berisha nga AAK; Idriz Blakaj nga IBI; Ilir Ferati nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Istogut: Delvina Sylaj nga LDK; Fjoralba Raci nga LVV; Jehonë Mehmetukaj nga AAK dhe Lirije Demiri-Sadikaj nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.