Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Politikat që do t’i shtyjnë përpara kandidatet gra për Asamblenë e Podujevës

Kandidatet e partive politike për asambliste të Kuvendit Komunal të Podujevës, në Debat Pernime kanë paraqitur politikat e tyre në rast se marrin mandatin nga zgjedhjet e 17 tetorit.

Kandidatja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se do të ngritë zërin për rininë.

“Kemi me e ngrit zërin për rininë që me marrë pjesë të gjithë qytetarët e jo vetëm aktivistët. Do të angazhohem për barazi gjinore. Do të punojë që çdo familje në Podujevë të ketë një familjar të punësuar”, ka thënë Talla.

Edhe Flakë Ajeti nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të jetë zë për rininë e Podujevës.

“Unë do ta ngris zërin për të rinjtë e shkollë së kitarës “Mirela”. Do të mundohet të krijojë një qendër inovative”, ka thënë Ajeti

Ndërsa Lirikë Maliqi nga VV tha se do të punojë për kulturë e sport.

“Me qeverisjen e ardhshme të komunës së Podujevës besoj se do të merr fund qeverisja e asfaltit. Do të punojë për rininë, kulturën e sportin, arsimin e politikat sociale”, ka premtuar Maliqi.

Ndërsa Lirika Humolli nga AAK tha se do të shtyjë përpara politika për mbrojtjen e ambientit si trajtimi i ujërave të zeza e trajtimi i mbeturinave.

“Fokusi im do të jetë në fushën e ambientit, furnizimi me ujë të pijshëm, trajtimi i ujërave të zeza dhe trajtimi i mbeturina. Do të kërkoj zgjidhje urgjente për trajtimin e lumit Llap”, ka thënë Humolli.

Adelina Stublla nga LVV tha se do të punojë për përmirësimin e kushteve në shëndetësi, arsim e mbrojtje të ambientit.

“Prioritet do të ju kisha dhënë shëndetësisë, arsimit, kulturës dhe ambientit. Në shëndetësi do të fokusohem në përmirësimin e kushteve më të mira, në arsim do të fokusohem në përmirësimin e kushteve për mësimdhënësit dhe nxënësit. Për ambient do të bëj sensibilizimin e qytetarëve për mbrojtjen e ambientit përmes trajnimeve të ndryshme. Në kulturë do të formoj galeri dhe atelie të ndryshme për të rinjtë e Podujevës”, është zotuar Stublla.

Arjeta Fetahu nga OBKD tha se do të punojë që të krijojë një fond të veçantë për të rinjtë që duan të merren me biznes.

“do të krijoj një fond të veçantë për të rinjtë llapjan. Do të krijojë një zyrë për personat me nevoja të veçanta dhe që ajo zyrë të udhëhiqet nga këta persona. Do t’i përkrahi gratë fermerë me trajnime sezonale”, është shprehur Fetahu.

Antoneta Ejupi nga PDK tha se do të punojë në krijimin e një zone industriale.

“Do të mundohem të krijojmë një zonë industriale që të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe punësim, do të mundohem që të bëjmë edhe një stacion të autobusëve”, ka thënë Ejupi.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Podujevës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Podujevës, Besnik Tahiri nga AAK, Floretë Zejnullahu nga PDK, Gazmend Islami nga OBKD, Shpejtim Bulliqi nga LVV, Xhemajl Hasani nga Nisma.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Podujevës: Adelina Stublla nga LVV, Albana Talla nga AAK, Antoneta Ejupi nga PDK, Arjeta Fetahu nga OBKD, Flakë Ajeti nga PDK, Lirika Maliqi nga LVV, Lirika Humolli nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.