Politikania boshnjake: Kosova dhe Serbia kanë pasur përkrahjen e ShBA-së për një marrëveshje për shkëmbim territoresh

Politikania opozitare boshnjake, Sabina Çudiç, në një shkrim në Twitter ka shkruar se Kosova dhe Serbia kanë pasur pajtim e madje edhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për një marrëveshje për shkëmbim territoresh.

Ajo ka shkruar se Matthew Palmer ka qenë pro shkëmbimit të territoreve si zgjidhje të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Biseda jonë u bë e pakëndshme kur e pyeta direkt se a është në dijeni për ndikimet e përkrahjes së tij (potencialisht autorësisë) për idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Po atë ditë, një zyrtar i Ambasadës së Serbisë në Washington, duke menduar se dija më shumë atëkohë, më tha se një marrëveshje është arritur dhe se po kërkohej një moment adekuat e i përshtatshëm që administrata Trump ta paraqiste marrëveshjen si historike”, ka shkruar Çudiç në Twitter.

Sipas saj, planin e shkëmbimit të territoreve Serbi-Kosovë e ndaloi opozita kosovare në vitin 2019, nga një angazhim i mbinatyrshëm në Bashkimin Evropian dhe Senatin Amerikan.

Çudiç ka thënë po ashtu se administrata amerikane duhet të distancohet nga Palmer, angazhimi i të cilit, sipas saj “është thellësisht i komprometuar”.

Ajo shtoi se plani i Palmerit për Bosnje-Hercegovinën është njësoj pa ose me dashje, i rrezikshëm dhe shkatërrues.

“Nesër mbahet seanca speciale e kongresit për angazhimin amerikan në Ballkan. Është një mundësi për të problematizuar qëndrimin amerikan për: Sanksionet për Dodik, marrëdhëniet me OHR, Ligjin për Zgjedhjet dhe natyrën e angazhimit amerikan në Bosnje dhe Hercegovinë. A do të shkatërrojnë Shtetet e Bashkuara dekadat e trashëgimisë së tyre në Ballkan?”, ka shkruar Çudiç.