Arkiv - Milan Radoiçiq (në mes, pa kravatë), pasi u emërua nënkryetar i Listës Serbe, Foto: Kossev/Balkan Insight

Politikani i sanksionuar kontrabandist që "përfaqëson" serbët e Kosovës

Në Shtetet e Bashkuara nën sanksione, në Kosovë i kërkuar, ndërsa në Beograd i pari për “mbrojtjen” e serbëve në veri të Kosovës.

Ky është profili i Millan Radoiçiqit, nënkryetarit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetje nga Beogradi zyrtar.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Radoiçiq, 44 vjeç, është njëri prej udhëheqësve të grupeve kontrabanduese që sulmojnë policinë në veri të Kosovës – atje ku Qeveria e kryeministrit Albin Kurtit po përpiqet të frenojë kontrabandën.

Vetë Radoiçiq nuk i ka komentuar këto pretendime, ndërsa partia e tij i ka hedhur poshtë ato.

Radoiçiq i ka shpëtuar dy herë arrestimit nga Policia e Kosovës, duke u arratisur nga Kosova.

Në fillim të korrikut, ai ka qenë sërish në qendër të vëmendjes. Atëbotë, ai ka publikuar një video nga rrethina e Leposaviqit, në veri të Kosovës, me mesazhin: “Jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo”.

Radoiçiq nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për intervistë. REL ka tentuar ta kontaktojë atë përmes Listës Serbe.

Kush është Millan Radoiçiq?

“Ai vendos për çdo gjë, nga drejtori deri te portieri. Asnjë portier nuk punësohet pa e pyetur Radoiçiqin”, thotë një bashkëbisedues i REL-it nga Mitrovica e Veriut, i cili ka dashur të mbetet anonim për arsye sigurie.

Sipas tij, Radoiçiqin në veri të Kosovës e përjetojnë si “frikë e tmerr”.

Kjo, para së gjithash, vlen për personat nga Lista Serbe, thotë bashkëbiseduesi i REL-it, por edhe për të tjerët.

Sipas tij, Radoiçiq është bërë “i rëndësishëm” në periudhën 2016/2017.

Në tetor të vitit 2017, pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, Radoiçiq është filmuar në shoqërinë e drejtorit të atëhershëm të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, dhe kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq.

Duke pirë shampanjë, Gjuriq ka telefonuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pasi e ka uruar për rezultatin zgjedhor, Gjuriq ka filluar të thërrasë: “Aco, Srbine” (Aco, serb) – gjë që e ka bërë videon virale.

Radoiçiq është bërë nënkryetar i Listës Serbe në vitin 2018. Mandati i është zgjatur në korrik të vitit 2021.

Lista Serbe është formuar në vitin 2013, me mbështetjen e Beogradit zyrtar, dhe është e afërt me Partinë Përparimtare Serbe – partinë në pushtet në Serbi, udhëheqës i së cilës është Vuçiq.

Lista Serbe ka pushtet në institucionet qendrore dhe lokale në Kosovë.

Në Kuvendin e Kosovës, ajo i ka dhjetë deputetë, ndërsa në Qeverinë e Kosovës udhëheq Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Lista Serbe ka qenë partnere e qeverive të Kosovës që nga themelimi i saj.

Ky subjekt, ashtu si edhe Beogradi zyrtar, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008.

Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Prishtina po zhvillon negociata për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin, të cilat duhet të rezultojnë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Lista Serbe mbështet procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe marrëveshjet, për të cilat është rënë dakord në dialogun e Brukselit.

Radoiçiq, krahas angazhimit në politikë, ka edhe biznese në fushën e ndërtimit dhe menaxhimit të hoteleve dhe gjeneron miliona.

Çfarë ka thënë Oliver Ivanoviq për Radoiçiqin?

Radoiçiq është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe pak muaj pas vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq.

Udhëheqësi i Nismës Liria, Demokracia dhe Drejtësia, Ivanoviq, është vrarë më 16 janar të vitit 2018, para ndërtesës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. Ekzekutuesit dhe organizatorët e vrasjes nuk dihen ende.

Pas vrasjes së Ivanoviqit, rrjeti i raportimit BIRN ka publikuar vlerësimin e tij për Radoiçiqin, duke thënë se Ivanoviq e ka përshkruar atë si një figurë kyçe dhe mbajtës të vërtetë të pushtetit në veri të Kosovës. Ai e ka cilësuar Radoiçiqin si “qendër joformale të pushtetit”.

“Qendra e pushtetit nuk është në ndërtesën e Komunës, por ndërtesa e Komunës është nën këtë qendër tjetër joformale të pushtetit dhe aty përcaktohet politika”, ka thënë Ivanoviq në tetor të vitit 2017.

“Presidenti e ka përmendur Millan Radoiçiqin – gjë që më shqetëson… ai e merr atë si shembull të një luftëtari për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, ka thënë Ivanoviq atëbotë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar Radoiçiqin si mbrojtës të Serbisë në Kosovë në disa raste, përfshirë edhe në shtator të vitit 2017.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Kosovës për vrasjen e Ivanoviqit, Radoiçiq përmendet si udhëheqës i një grupi kriminal, por ai nuk është akuzuar asnjëherë drejtpërdrejt, sepse ka qenë në arrati.

Më 25 nëntor të vitit 2018, Radoiçiq ka lëshuar një deklaratë, duke thënë se “nuk ka qenë miku më i ngushtë” i Ivanoviqit. Ai, po ashtu, ka pretenduar se nuk ka lidhje me vrasjen e tij.

“Prishtina dëshiron të më heqë qafe, sepse e di se unë, së bashku me miqtë e mi dhe vëllezërit e mi, jemi ndër të paktët që mund t’i kundërshtojmë në synimin e tyre për të nëpërkëmbur dhe përvetësuar veriun e Kosovës dhe Metohisë dhe për të nënshtruar popullin serb”, ka thënë Radoiçiq në atë kohë.

Urdhri për arrestimin e Radoiçiqit është tërhequr pa asnjë shpjegim në mars të vitit 2021 – pas së cilës gjë ai është kthyer në Kosovë.

Përse është në listën e zezë të SHBA-së?

Në dhjetor të vitit 2021, Ministria e Financave e SHBA-së ka futur në listë të sanksioneve Millan Radoiçiqin, Zvonko Veselinoviqin, vëllain e tij, Zharkon, dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.

Në sqarim është thënë se Radoiçiq ka qenë zëvendës i Zvonko Veselinoviqit dhe udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal, kur Veselinoviq është tërhequr për pak kohë.

Po ashtu, është thënë se Radoiçiq ka qenë përgjegjës për kontrabandën e armëve në grupin e krimit të organizuar të Veselinoviqit. Radoiçiq nuk është deklaruar për këto akuza.

Sipas Ministrisë së Financave në SHBA, grupi kriminal i Veselinoviqit është i përfshirë në një skemë të gjerë të ryshfetit, së bashku me zyrtarë të sigurisë kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë tregtinë e paligjshme të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas shpalljes së sanksioneve nga SHBA-ja, Lista Serbe ka thënë se “akuzat e pabaza kundër serbëve të shquar nga veriu, janë një fushatë e koordinuar, e cila synon të dobësojë unitetin dhe mbrojtjen e popullit tonë në këto zona”.

Çfarë ka thënë Vuçiq për Radoiçiqin?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shpeshherë e ka mbrojtur Radoiçiqin dhe ka folur për të si “mbrojtës” të serbëve në veri të Kosovës.

Hera e fundit kur e ka komentuar Radoiçiqin ka qenë në fillim të korrikut, kur është pyetur se çfarë mund të thotë deklarata e tij për kthimin në Kosovë.

“E ku do të duhej të ishte Millan Radoiçiq, i cili është nga Kosova? Se ku ndodhet ai, është çështje e tij private. Kjo nuk ka asnjë lidhje me shtetin”, ka thënë Vuçiq më 6 korrik.

Radoiçiq ka lindur në Gjakovë, qytet në jugperëndim të Kosovës.

Vuçiq, në nëntor të vitit 2018, duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Agjencisë për Informim të Sigurisë, ka thënë se Radoiçiq nuk ka marrë pjesë në likuidimin e Oliver Ivanoviqit.

“Millan Radoiçiq, natyrisht, nuk është as akademik, as piktor, as shkrimtar. Prandaj, krahas të gjitha gjërave të tjera – për të cilat ai nuk mund të krenohet gjithmonë dhe askush nga ne nuk është i lumtur – ai ka qenë i pari në mbrojtjen e Mitrovicës së Veriut”, ka thënë Vuçiq për Radio-Televizionin e Serbisë.

Vuçiq, po ashtu, ka thënë se Radoiçiq “e ka kaluar poligrafin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit” dhe se “është treguar se ai nuk ka marrë pjesë në organizim, duke e ndihmuar apo nxitur”.

Sipas presidentit të Serbisë, Radoiçiq ka qenë njeriu numër një në mbrojtjen e Mitrovicës së Veriut, në aspektin e mbrojtjes së popullit serb, që u ka bërë rezistencë shqiptarëve.

Në shtator të vitit 2021, Vuçiq ka thënë se nuk ka folur kurrë me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

“Nuk kam folur kurrë me Millanin, përveçse nëse ka qenë i pranishëm në takime, ku u kam përcjellë mesazhe njerëzve nga Kosova dhe aty kanë qenë të ulur edhe njerëz nga Lista Serbe”, ka thënë Vuçiq në një konferencë për media në Nish.

Nënkryetari kontrovers i Listës Serbe ka marrë pjesë në disa takime që përfaqësuesit e serbëve të Kosovës i kanë pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

I fundit prej tyre ka qenë më 22 mars, kur Radoiçiq është ulur pranë Vuçiqit. Në atë kohë, ai ka qenë nën sanksionet e SHBA-së.

Çfarë thonë autoritetet e Kosovës për Radoiçiqin?

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 18 korrik se “Radoiçiq është në krye të kontrabandistëve që sulmojnë Policinë e Kosovës”.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë sulmuar disa herë këtë vit, gjatë përpjekjeve të tyre për të penguar kontrabandën në veri.

Sipas ministrit Sveçla, janë disa grupe kontrabandistësh në veri, të koordinuara ngushtë nga autoritetet e Serbisë, ndërsa njëri ndër udhëheqësit e këtyre strukturave është Radoiçiq.

Lista Serbe ka reaguar, duke thënë se akuzat e Sveçlës janë të pabaza.
Disa muaj më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Radoiçiq është ilegal në Republikën e Kosovës.

Lidhjet e Radoiçiqit me Prishtinën

Se Millan Radoiçiq ka pasur kontakte me individë nga Prishtina e dëshmon, me sa duket, edhe një fotografi e publikuar nga portali hulumtues në Serbi, Krik, në tetor të vitit 2019.

Në fotografi shihen Radoiçiq dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, të ulur në një jaht me biznesmenin kosovar, Behgjet Pacolli.

Sipas këtij portali, fotografia është bërë në verën e vitit 2017 në Budvë të Malit të Zi, gjatë negociatave për formimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, e në të cilën Pacolli është bërë ministër i Jashtëm.

Më vonë, Pacolli ka thënë se ngjarja ka ndodhur rastësisht dhe se nuk kanë biseduar për politikë. Pacolli, po ashtu, ka thënë se nuk e njeh Radoiçiqin, por vetëm Rakiqin.

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, është votuar në shtator të vitit 2017 dhe votat e deputetëve të Listës Serbe kanë qenë vendimtare. Në këmbim, Lista Serbe ka marrë postin e zëvendëskryeministrit dhe tri ministri.

Në dhjetor të vitit 2017, Haradinaj, duke folur për programin “Slobodno Srpski” të Qendrës Mediale në Çagllavicë, ka thënë se ka bashkëpunim të mirë me kolegët e Listës Serbe në Qeverinë e Kosovës dhe se ka bashkëpunim me njerëzit në veri.

“Millan Radoiçiq, për shembull… besoj se edhe ai ka rolin e tij. Ai është dikush nga veriu, të cilin e pyesin për çdo gjë, edhe unë flas me të”, ka thënë Haradinaj.

Kur Radoiçiq është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe në qershor të vitit 2018, tre muaj më vonë, ai dhe anëtarët e tjerë të Listës Serbe janë takuar me Haradinajn në kabinetin e tij.

Por, në mars të vitit 2019, Haradinaj ka deklaruar se nuk ka qenë në kontakt me Radoiçiqin nga koha kur ai është arratisur nga autoritetet gjyqësore të Kosovës.

Ai, atëbotë, u ka thënë gazetarëve se bashkë me Radoiçiqin, njëherë, e kanë vizituar presidentin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Dua të kujtoj se, bashkë me presidentin Thaçi, në zyrën e tij, jam takuar me Radoiçiqin”, ka thënë Haradinaj.

Në maj të vitit 2019, Haradinaj, duke folur për Televizionin T7 në Kosovë, i ka hedhur poshtë akuzat e Thaçit për takime sekrete me Radoiçiqin dhe ka pretenduar se ai është takuar me të vetëm si zyrtar i Listës Serbe.

Edhe vetë Radoiçiq ka folur për kontaktet e tij me zyrtarët kosovarë. Në mars të vitit 2019, ai i ka thënë Televizionit “Klan Kosova” në Prishtinë se është takuar me Thaçin dhe Haradinajn.

“Jam takuar me të dy dhe jam takuar edhe me të tjerë. Ata u kanë premtuar serbëve kulla dhe qytete, që ata të jenë në anën e tyre dhe jo në anën tjetër. Por, ne nuk mund të shkelim interesat jetike serbe”, ka thënë Radoiçiq.

Ende në listën e të kërkuarve

Millan Radoiçiq vazhdon të jetë në listën e të kërkuarve, pasi ende ekziston një fletarrestim aktiv, për shkak të përfshirjes së tij të dyshuar në rastin “Brezovica”.

Në këtë rast, disa persona dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, në lidhje me dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrën e skijimit në Brezovicë të Kosovës. Radoiçiq dyshohet se “i ka frikësuar dëshmitarët gjatë procedurës penale”.

Radoiçiq ka thënë se nuk ka lidhje me akuzat ndaj tij dhe se “akuzat e rreme” nuk mund ta dëbojnë përgjithmonë nga Kosova.

Ai është i njohur edhe për autoritetet gjyqësore në Serbi nga viti 2011, kur kundër tij dhe Zvonko Veselinoviqit është ngritur një aktakuzë, sipas së cilës, të dy ata dyshoheshin për përvetësim të 32 kamionëve të kompanisë Hippo Alpe Adria Lizing.

Të dy janë liruar nga akuza në vitin 2016.

Në korrik të vitit 2019, Radoiçiq dhe Veselinoviq janë liruar në Serbi edhe nga akuzat për mihje të paligjshme të zhavorrit.

Ndërkohë, Radoiçiq vazhdon punën në Serbi. Ai është bashkëpronar i kompanisë ndërtimore INKOP nga Quprija – bashkë me vëllezërit Veselinoviq – në të cilën ka 40 për qind të pronësisë.

INKOP ka blerë edhe kompanitë ndërtimore Novi Pazar – put dhe Betonjerka Aleksinac.

INKOP zotëron, po ashtu, kompaninë hoteliere DollyBell, e cila ka hotelin Grey në Kopaonik.

REL nuk ka arritur të përcaktojë vendndodhjen aktuale të Millan Radoiçiqit. Sipas të dhënave të fundit të disponueshme, nga viti 2019, ai ka pasur një vendbanim të regjistruar në Kralevë – qytet në Serbinë qendrore./REL