Politikanët kosovar, as përvjetori në Poklek nuk i bashkoi

Në Ditën e Çlirimit të Kosovës, Presidenca ka organizuar manifestim qendror në fshatin Poklek të Drenasit, për të nderuar dëshmorët e këtij fshati dhe për nder të Ditës së Çlirimit, në të cilin kishte ftuar edhe drejtuesit e partive opozitare. Por, ato e injoruan ftesën e Presidencës për manifestimin në shënimin e 22 vjetorit të masakrës së ndodhur në Poklek të Drenasit.

KALLXO.com merr vesh nga burimet e saj, se të ftuar në këtë manifestim kanë qenë edhe partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por këto parti nuk iu përgjigjen ftesës.

Në këtë manifestim pjesëmarrës kanë qenë kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësit e të tri prej parive opozitare. Nga PDK-së, Valmir Klaiqi ka thënë se nuk ka informacion. Të njëjtën përgjigje e ka dhënë edhe zyrtari i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, kurse zëdhënësi tjetër Lulzim Blaka ka qenë i paqasshëm. Ndër Sibel Halimi, zëdhënëse e LDK-së nuk u është përgjigjur thirrjeve të KALLXO.com.


Faksimili i ftesës e përgatitur për këtë ngjarje, u është dërguar edhe partive opozitare në vend. 

Presidentja Osmani, në këtë manifestim tha se kushdo që mund të dyshojë në drejtësinë e intervenimit të NATO-s, duhet të vijë në Poklek.

“22 vjet më parë kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s vizitoi Kosovën na la një thënie e cila rezulton aq shumë edhe tash pas më shumë se 2 dekada. Në pllakën që do ta shihni këtu në Poklek do ta shihni citatin e tij. Citoj” Kushdo që mund të dyshoj në drejtësinë e intervenimit të NATO-s duhet të vijë në Poklek”. Prandaj jemi rikthyer sot këtu ku na ka këshilluar çdoherë edhe vet sekretari i përgjithshëm i NATO dhe mbi të gjitha ku na thërret çdo ditë ndërgjegjja jonë njerëzore”, ka thënë ajo.

Krerët e shtetit në Poklek: 12 qershori shënon fundin e gjenocidit në Kosovë