Ilustrimi: KALLXO.com

Politikanët e papunë marrin mbi 425 mijë euro për 2 muaj

Shteti ka shpenzuar gati gjysmë milion euro për pagat e ish-deputetëve të Kuvendit të Kosovës në dy muajt e fundit.

Ndonëse Kuvendi është shpërndarë më 22 gusht të këtij viti, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, ish-deputetët vazhdojnë të marrin pagat.

Ndonëse zgjedhjet janë mbajtur gati 1 muaj më herët, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk i ka certifikuar rezultatet, si rrjedhojë ende nuk dihen deputetët e legjislaturës së shtatë.

Në rast se nuk kanë ndonjë angazhim tjetër, deputetët do të gëzojnë 12 paga pas shpërndarjes së Kuvendit.

Kështu, ish-deputetët e legjislaturës së gjashtë vazhdojnë të marrin pagat.

Pagat e tyre për muajt shtator dhe tetor buxhetit të shtetit i kanë 425 mijë e 407 euro.

Sekretaria e Kuvendit të Kosovës, në një përgjigje për KALLXO.com, ka njoftuar se sa janë shpenzimet e deritanishme të Kuvendit për pagat e ish-deputetëve.

“Shpenzimet për pagat e deputetëve për muajin shtator dhe tetor 2019, 425,407.24€”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit të Kosovës.

Sipas sekretarit të Kuvendit, pagat kalimtare janë duke i marrë 106 ish-deputetë.

“Pagat e muajit shtator dhe tetor 2019 i kanë realizuar 106 deputetë”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit të Kosovës për KALLXO.com.

Ndonëse Kuvendi ishte shpërndarë më 22 gusht, rreth 9 ditë pa përfunduar muaji, deputetët kishin gëzuar paga të plota për atë muaj.

Vetëshpërndahet Kuvendi i Kosovës

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës janë mbajtur me 6 tetor. Sipas rezultateve preliminare Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë me pak mijëra vota më shumë se LDK.

Këto dy parti tash e një kohë janë duke u takuar për një koalicion të mundshëm. Madje kanë formuar dy grupe punuese për harmonizim të programit qeverisës.

Pas certifikimit të rezultateve, kur do të dihen se kush janë të zgjedhurit e popullit, ata do të mblidhen për të konstituuar Kuvendin.

Deputeti më i ri dhe më i vjetër për nga mosha do të udhëheqin seancën e parë të Kuvendit, derisa të zgjidhet kryetari dhe anëtarët e kryesisë.

Pas votimit të kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit, deputetët do të votojnë edhe për kabinetin e ri e qeveritar.