Politika shkak i përjashtimit, sa rekomandime përmbushi Kosova për t'u rikthyer në ENQA

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi, ka thënë se nga 13 rekomandime për t’u bërë pjesë e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), Kosova ka përmbushur 12.

Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ bëri të ditur se aktualisht Kosova ka fituar status si ‘affiliate’ e jo si anëtare me të drejta të plot në këtë organizatë.

“Kemi pasur 13 rekomandime kryesore, 12 prej tyre janë realizuar në plotni, ndërsa e fundit është miratimi i Ligjit për Agjencinë e Akreditimit, i cili është duke u diskutuar në Komisionin parlamentar për arsim” – ka thënë Gashi.

“Ne i kemi plotësuar standardet por dikush tjetër na vlerëson. Rekomandimi i homologëve kroatë ka qenë që na nevojitet kohë për të prodhuar rezultate. Si shembull, ne e kemi plotësuar planin strategjik, por ata thonë se duhet të kemi indikatorët e performancës sa është është plotësuar ky plan” – shtoi ai.

Gashi tutje potencoi se janë dy arsye pse Kosova nuk është anëtare e plotë në ENQA: e para se AKA nuk i  është nënshtruar një vlerësimi të përgjithshëm të ENQA-s, dhe fakti se Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës.

“Janë dy arsye pse nuk jemi anëtarë të plotë: e para se ne ende nuk i jemi nënshtruar një vlerësimi të përgjithshëm nga ENQA, i cili duhet të rezultojë pozitiv dhe me automatizëm bëhemi antarë të EQAR dhe duhet të presim, pasi në verën e vitit 2021 statusi i ENQA-s ka ndryshuar, ku një prej kritereve shtesë  është se duhet të jemi anëtar të EHEA që nënkupton procesit të Bolonjës, për me qenë aty ne duhet të jemi vend anëtar i Këshillit të Evropës. Pra ne e zbatojmë procesin e Bolonjës por, nuk mund ta nënshkruajnë atë”- shtoi Gashi.

Sipas Gashit, kriteret për antarësim janë vështirësuar.

Kosova me statusin si anëtare ‘affiliate’ në të gjitha dokumentet zyrtare dhe komunikimet ndërkombëtare tani e tutje mban edhe logon e ENQA ‘affiliate’.

Gashi më tej theksoi se ndërhyrja politike ka qenë arsyeja kryesore për përjashtim nga të këto dy organizata.

Sipas drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, për të mos ndodhur më kjo, së bashku me institucionet e Kosovës kanë draftuar një ligj i cili e pamundëson edhe nëse ka vullnet politik ndërhyrjen në AKA.

Në vitin 2018, Agjencia e Kosovës për Akreditim u përjashtua nga EQAR për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj Agjencie që ishte bërë me kërkesë të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj. Kjo organizatë kishte konsideruar se AKA ka humbur mundësinë të veprojë si e pavarur pas asaj ndërhyrjeje politike.

Pas kësaj, më 19 prill të vitit 2018, Agjencisë së Kosovës së Akreditimit i ishte degraduar statusi brenda ENQA-s nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën shqyrtim.

Por, më 2 tetor të vitit 2019, ENQA përfundimisht e përjashtoi AKA-në. Arsyet pse ndodhi kjo përfshijnë mungesën e konsensusit të gjerë në arsimin e lartë lidhur me rolin dhe aktivitetet e Agjencisë si dhe mungesën e resurseve njerëzore dhe financiare për të realizuar aktivitetet e AKA.

ENQA kishte dhënë disa rekomandime për Agjencinë e Akreditimit që përfshijnë metodologjinë e veprimit, përfshirjen e studentëve dhe pavarësinë e veprimit.