Politika kosovare: Kandidati i Milaim Zekës për deputet shkon në PDK

Pak ditë pasi iu fut garës për deputet me partinë e PEK të Milaim Zekës, Egzon Dervishi iu bashkua PDK-së.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka postuar një fotografi me të, me ç’rast ka thumbuar liderin e PEK-ut, Milaim Zekën.

“Kandidati i partisë PEK me numër 34, Egzon Dervishi, nga sot, kthehet dhe i bashkohet Partisë Demokratike të Kosovës. Ne i dëshiruam mirëseardhje z. Dervishi, duke e përgëzuar për zgjidhjen e tij, duke e siguruar se Drenasi dhe Drenica, janë dhe mbesin bastion i PDK-së, në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Lladrovci.

“Jo vetëm partia P e K, por asnjë parti në Drenas e Drenicë, as ka treguar program as ofertë për të marrë besimin e qytetarëve. Drenica i njohin edhe kontribuuesit edhe të përkushtuarit për çështjet jetike për ta dhe shtetin”, ka shkruar tutje ai në profilin e tij në Facebook.

I kontaktuar nga KALLXO.com, vetë Dervishi nuk tregoi arsyet se pse i është bashkuar PDK-së, por tha se do të tërhiqet nga gara për deputetë me partinë Partia Euroatlantike e Kosovës të Milaim Zekës.

“Unë gjithmonë kam qenë me PDK-në dhe nuk pash ndonjë arsye të ndrrojë partinë dhe vendosa me u kthy në PDK dhe nuk do të bëjë thirrje me më votu si deputetë”, tha Dervishi.