Politico: Ischingeri e përdori dialogun Kosovë - Serbi për të lidhur kontrata për kompaninë e tij

Revista Politico e ka publikuar një artikull në faqen e parë për konfliktet e mundshme të interesit të diplomatit Wolfgang Ischinger, i cili që nga viti 2008 drejton Konferencën e Sigurisë së Mynihut me mbështetjen e qeverisë gjermane.

Sipas Politico, Ischinger e ka shfrytëzuar Konferencën si platformë për lidhjen e kontratave për kompaninë e tij konsulente “Agora Strategy Group”, dhe një nga klientët është bërë edhe Qeveria e Kosovës.

Artikulli nis me rikujtimin e takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor me diplomatët evropianë dhe amerikanë në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt të vitit 2020, që ishte takimi i parë zyrtar mes presidentit Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit Albin Kurti.

Politico thekson se Ischinger ka pasur “interes privat biznesi” që takimi të ketë sukses, sepse Qeveria e Kosovës ka qenë kliente e kompanisë “Agora Strategic Group”, e cila është themeluar nga një diplomat gjerman në vitin 2015.

Artikulli në fjalë pretendon se të gjithë klientët e Agora kanë një lidhje me Konferencën e Sigurisë së Mynihut (MBK) dhe se Ischinger i përdori ngjarjet brenda Konferencës për ti prezantuar shërbimet e kompanisë për klientët e mundshëm.

Një shembull është takimi i organizuar nga MBK në kryeqytetin bjellorus, Minsk, në vjeshtën e vitit 2018, kur, siç thuhet në tekst, presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, “flirtoi me Perëndimin”. Përveç diskutimit me vetë Lukashenkon, Ischinger ishte nikoqir edhe i një takimi mbi tensionet mes Serbisë dhe Kosovës, ku morën pjesë kryeministrja serbe Ana Brnabiq dhe presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Në atë kohë, Agora po përpiqej ta rekrutonte qeverinë e Kosovës si klient”, tha një person i njohur me situatën.

Thuhet se Kosova nënshkroi një marrëveshje konsultimi disa javë më vonë.

Problemi është se qeveria gjermane financon pjesërisht dhe ofron mbështetje politike për Konferencën e Sigurisë së Mynihut, dhe aktivitetet konsultative të Wolfgang Ischinger, të cilat përfshijnë jo vetëm Kosovën, por edhe vende si Katari dhe Gjeorgjia, mund të interpretohen si përzierje e interesave publike dhe private.

Në vitin 2007, Ischinger përfaqësoi vendet e Bashkimit Evropian në ndërmjetësimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës si pjesë e të ashtuquajturës “trojka” së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë./EWB