"Politico": Biden “i hapur” t’i ofrojë Ukrainës raketa me rreze të gjata veprimi
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është “e hapur” t’i dërgojë Ukrainës raketa me rreze të gjata veprimi, një hap që do t’u mundësonte bombarduesve “F-16” të Kievit mundësi më të mëdha për të goditur armikun derisa po mundohet ta avancojë luftën kundër Rusisë, shkruan “Politico”.
Gatishmëria e Shtëpisë së Bardhë për t’i dhuruar Ukrainës sisteme raketore ajër-tokë vjen në kohën kur Kievi po kryen një ofensivë të suksesshme tokësore në thellësi të territorit të Rusisë në javën e dytë pas nisjes së ofensivës.
Inkursioni ukrainas ka poshtëruar presidentin rus, Vladimir Putin, duke e detyruar të tërheqë trupat nga fushëbetejat në Ukrainë për të luftuar në brendi të rajoneve kufitare ruse.
“Politico” shkruan se ende nuk është marrë ndonjë vendim për dërgimin e raketave me rreze të gjata, por Administrata po punon në finalizimin e hollësive të ndërlikuara, ka bërë të ditur një zyrtar i Administratës së Bidenit.
Çështjet përfshijnë rivlerësime të transferove të teknologjive të ndjeshme, dhe marrjen e garancive se bombarduesit e Ukrainës mund të lansojnë raketa prej mbi njëmijë kilogramësh që ngërthen kokën prej mbi katërqind kilogramësh.
Zyrtari, bashkë me dy persona të tjerë të informuar me zhvillimet e brendshme, ka folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjeve.
Pentagoni ka refuzuar të komentojë nëse ka aprovuar transferin raketor.
“Ne konsiderojmë një mori të opsioneve për t’i përmbushur kërkesat e Ukrainës për asistencë sigurie” – ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Jurgensen për “Politico”.
Kjo çështje ka nisur të diskutohet që një kohë pas kërkesave të Ukrainës për dërgimin e armatimit të sofistikuar për të luftuar kundër trupave dhe sistemeve ruse. Ukraina ka pasur kufizime për përdorimin e shumë armatimeve perëndimore.
Disa anëtarë të Kongresit dhe kundërshtarë politikë kanë akuzuar Administratën e Bidenit se po lëviz tepër ngadalë për t’i ofruar Kievit pajisje që i duhen për ta fituar luftën.
Në konfliktin që ka nisur tridhjetë muaj më parë, aprovimi i “F-16”-shave, tankeve “Abrams”, raketave kruz, sistemeve e mbrojtjes ajrore “Patriot” dhe makineria moderne e bartjes së këmbësorisë kanë transformuar në njërën prej fuqive më të mëdha të fushëbetejës në Evropë atë që dikur ishte ushtri sovjetike.
Derisa bisedimet po vazhdojnë brenda Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit, Administrata ka paralajmëruar se ka një mal punësh për t’u kryer para se ndonjë raketë të mbërrijë në Ukrainë, përfshirë garancitë se aeroplanët ekzistues të epokës sovjetike të Kievit dhe “F-16”-shtat e porsadërguar të mund t’i lansojnë raketat drejt caqeve rreth 230 kilometra larg./“Politico”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com