Ilustrim

Policia zë në flagrancë dy të dyshuar që shisnin drogë në doza të vogla

Operacioni policor “Combination 2”, ka rezultuar me arresitmin e dy personavet të dyshuar në Tiranë për shpërndarje të narkotikëve në doza të vogla.

Policia e Shtetit përmes një njoftimi ka bërë të ditur se në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, ka finalizuar me sukses operacionin në kuadër të së cilit ka vënë në pranga të dyshuarit A. Xh., 31 vjeçar dhe O. L., 25 vjeçar, të dy banues në Tiranë.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, operacioni ka filluar bazuar në informacionet e marra se në Yrshek, Tiranë, shtetasit O. L. dhe A. Xh. merreshin me shpërndarje të lëndëve narkotike të llojit cannabis sativa dhe kokainë, të cilat i mbanin në një ambient në pronësi të shtetasit A. XH.

Me pranimin e këtyre informacioneve, policia ka filluar operacionin ku gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin në pronësi të shtetasit A. XH., janë gjetur dhe sekuestruar rreth 1.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe qese farmaceutike që shërbenin për të ndarë në doza lëndën narkotike.

Ndërsa në banesën e këtij shtetasi u gjet një pushkë sportive dhe fishekë metalik për pushkën.

Materialet për këtë rasti sipas policisë, do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, për shtetasit A. XH. dhe O. L. dhe për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, në ngarkim të shtetasve S. XH. e Z. Xh. familjarë të shtetasit A. XH., të cilët po ndiqen penalisht në gjendje të lirë.