MInistria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit - Foto: Atdhe Mulla

Policia ‘viziton’ Ministrinë e Kulturës

Policia e Kosovës ka ‘vizituar’ Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, disa minuta pasi Këshilli grevist i punëtorëve të kësaj Ministrie njoftoi nisjen e grevës së përgjithshme nga dita e nesërme, për të kundërshtuar zhvendosjen e stafit MKRS-së nga objekti aktual.

Për afër dy orë disa policë të Kosovës kanë qëndruar në ambientet e objektit të MKRS dhe pas bisedimeve me Këshillin grevist ata janë larguar, për t’u kthyer më pas në orët e pasdites.

KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje nga Policia e Kosovës lidhur me arsyen e prezencës në ambientet e objektit të MKRS-së por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të shkrimit.

Ndërkaq, Ministria e Administratës Publike përmes një përgjigje ka thënë se ajo nuk do të kërkojë ndërhyrjen e Policisë për të larguar me forcë punëtorët e MKRS-së në zbatim të vendimit të ministrit të MAP-it Mahir Yagcilar.

Arton Berisha, sekretar i MAP-it ka pohuar për KALLXO.com se  MKRS është zotuar ta zgjidhë vetë situatën.

“Ministri i MKRS dhe Sekretari janë zotuar se do të largohen të gjithë stafi nga ndërtesa në një afat optimal”, ka potencuar Berisha për KALLXO.com.

Por, zyrtarë të MKRS kanë thënë për KALLXO.com se janë në zbatim të vendimit të 18 dhjetorit 2019 të ministrit të MAP, pa dhënë sqarime rreth prezencës së Policisë, kohës dhe mënyrës së largimit nga objekti.

Ministri në largim i Administratës Publike, Mahir Yagcilar ka nxjerrë dje një vendim që urdhëron zhvendosjen e Ministrisë së Kulturës nga objekti.

Përmes këtij vendimi dërguar edhe MKRS-së, ministri Yagcilar kërkon nga MAP dhe MKRS që të marrin të gjitha hapat e nevojshëm për zbatimin e këtij vendimi.

Punëtorët e MKRS-së përmes Këshillit të tyre grevist kanë bërë të ditur se nga dita e nesërme do të hyjnë në grevë të përgjithshme.