
Policia vijon kontrollimet me dron kundër ngasësve të papërgjegjshëm
Policia e Kosovës është duke përdorur dron për të kontrolluar matjen e lëvizjes së shpejtësisë në trafik.
Në Rajonin e Gjilanit është duke vazhduar zbatimi i planit operativ “Siguria në Komunikacion” nga Policia e Kosovës ku përveç kontollit rutinë me radar për matjen e shpejtësisë janë duke përdorur edhe dron në mënyrë që të vëzhgohet komunikacioni nga hapësira ajrore.
“Pjesë e këtij plani përveç kontrolleve rutinë, dhe kontrolleve me radarë për matjen e lëvizjes së shpejtësisë, sot ka pasur kontrollime edhe me përdorimin e dron-ëve për të vëzhguar komunikacionin nga ajri, në mënyrë që të ndikohet direkt në preventivën e aksidenteve të trafikut rrugor, duke identifikuar kundërvajtësit të cilët gjatë ngasjes së automjeteve bien ndesh me ligjin dhe rregullat e trafikut rrugor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Rajonit të Gjilanit.
Në njoftim po ashtu thuhet se njësitet e trafikut të regjionit të Gjilanit sot kanë vazhduar kontrollin në rrugën “Gjilan – Prishtinë” dhe “Gjilan -Kamenicë”, madje në këtë rrugë gjatë këtyre kontrolleve janë shqiptuar nëntë fletë paraqitje kundërvajtëse.
“Policia e Kosovës (PK) do t’i ndërmarr të gjitha masat e nevojshme policore ndaj të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin për sigurinë në trafikun rrugor, duke pas “ZERO” tolerancë ndaj të gjithë shkelësve të Ligjit”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Monitorimi me dron nga Policia e Kosovës është bërë edhe dje në fshatin Korreticë të Drenasit për të cilën pati raportuar KALLXO.com
VIDEO: Policia e Kosovës me ekipe të shtuara e dronë po monitoron komunikacionin