Policia vazhdon kontrollet operative për respektim të masave anti-COVID

Policia e Kosovës është duke vazhduar realizimin e planeve operative për zbatimin dhe respektimin e masave anti-COVID në koordinimi më institucionet relevante.

“Nëpër tërë qytetet e Kosovës, në tërë territorin e vendit, gjatë tërë kohës 24/7, vërehen patrullime të shtuara policore që synim parësorë pos ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, mbrojtjes së pronës, e kanë edhe zbatimin e masave parandaluese ndaj pandemisë dhe respektimin e Ligjit anti COVID-19”, thuhet në postimin e Policisë së Kosovës, bërë në rrjetin social facebook.

Sipas masave të fundit të Qeverisë së Kosovës lëvizja e lirë e qytetarëve në nivel vendi vlen nga ora 05:00 deri në orën 22:30.

Persona të cilët nuk respektojnë masat kundër pandemisë gjobiten nga Policia e Kosovës.

Kosova është duke luftuar pandeminë SARS-CoV-2 nga 13 marsi i vitit të kaluar kur u shfaqën dy rastet e para të infeksionit në Kosovë.

Deri më tani në Kosovë janë 105,188 raste pozitive prej tyre 2,173 kanë vdekur.