Policia vazhdon hetimet për sulmin ndaj veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi

Policia e Kosovës është duke i vazhduar hetimet për sulmin me armë ndaj veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi gjatë natës së mbrëmshme në qytetin e Mitrovicës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha për KALLXO.com se rasti është duke u hetuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

“Rasti ka ndodhur mbrëmë gjatë natës. Një veturë është dëmtuar dhe janë gjetur 4 predha të armës. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti po hetohet si shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Hetuesit janë duke punuar, por s’ka ende asgjë konkrete”, tha Zahiti për KALLXO.com

Gazetari Shkumbin Kajtazi ka njoftuar se gjatë natës së mbrëmshme vetura e tij është goditur me disa plumba në qendër të qytetit të Mitrovicës.

Sipas Kajtazit, ky sulm ka të bëjë me punën e tij si gazetar. Kjo është hera e dytë brenda pak kohe që vetura e gazetarit Kajtazi është sulmuar në Mitrovicë.

Shkumbin Kajtazi është pjesë e redaksisë së portalit “Reporteri.net”

Vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi qëllohet me armë