Policia tregon se pse po qëndron në objektet në 'Qendrën e Studentëve'

Të shumtë kanë qenë persona të cilët gjatë ditës janë vendosur në objektet e Qendrës së Studentëve në Prishtinë, pasi që të njëjtit do të jenë të izoluar për 14 ditë për shkak se kanë ardhur nga vende të jashtme e të cilat janë të prekura me virusin corona.

Për të menaxhuar situatën dhe për të dhënë siguri, Policia e Kosovës ka dërguar ekipe policore dhe të njësive speciale në Qendrën e Studentëve.

Zyra për media e Policisë së Kosovës, i ka thënë për KALLXO.com se janë pjesë e Komisionit shtetëror për menaxhim dhe parandalim të coronavirus.

“Të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme janë ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante, konform edhe angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim”, thuhet në përgjigjen e policisë për KALLXO.com.

Tutje në përgjigje thuhet se urdhri operativ i Policisë së Kosovës, ka për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetent për luftimin, parandalimin e rreziqeve nga virusi në fjalë si dhe përballjen me situatat të këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë.

“Policia e Kosovës, po vazhdon punën e saj me qëllim të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore si dhe zbatimin e vendimeve të Qeverisë së RKS-së edhe në lokacionin e potencuar nga ju, ku ka angazhuar zyrtarë policorë”, thuhet tutje në njoftim.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së djeshme se Gjatë ditës së djeshme, Qeveria ka marrë vendim që Qendra e Studentëve në Prishtinë, të shndërrohet në karantinë.

Sipas këtij vendimi, të gjithë personat që vijnë nga jashtë dhe dyshohen se janë të infektuar me virusin COVID-19, do të vendosen në këtë karantinë, për t`u trajtuar.

Qendra e Studentëve ka kapacitet për rreth 4 mijë persona.

Konviktet vihen në karantinë

Publiée par Kallxo.com sur Jeudi 19 mars 2020