LAJMI I FUNDIT - Policia KS2

Policia tregon se çka u gjet te manastiri në Banjskë

Policia e Kosovës ka konfirmuar se nën udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale, në bashkëkoordinim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, kanë hyrë në objektet përcjellëse të manastirit të Banjskës.

Policia thotë se përderisa njësitet policore gjatë kontrollit në disa lokacione, objekte banimi dhe në disa automjete që janë përdorur nga grupi terrorist për bllokim të rrugëve, përfshirë automjetet që kanë qenë përreth manastirit në Banjskë, janë gjetur të mbushura përplot me arsenal armësh.

“Sipas informacioneve fillestare bëhet fjalë për gjetjen e dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikovë, etj.”- thuhet në komunikatën e organeve të rendit.

Sipas Policisë, në orët e vona intensiteti i sulmeve ndaj zyrtarëve policorë ka rënë, por situata e sigurisë ende vazhdon të jetë e tensionuar.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.

Zhvillimet pas vrasjes së policit të Kosovës në veri të vendit