Policia tregon për incidentet e natës së Vitit të Ri

Policia e Kosovës ka vlerësuar se nata e Vitit të Ri ishte kryesisht e qetë dhe janë regjistruar disa incidente me lëndime trupore.

“Festa e vitit të ri (2020/2021) kryesisht ka kaluar e qetë, me më pak incidente se vitin e kaluar, përjashtuar disa incidente të raportuara në Policinë e Kosovës dhe në qendrat mjekësore, që kanë qenë lëndime trupore, lëndime si pasojë e përdorimit joadekuat të mjeteve piroteknike, incidente zjarri dhe dëmtim prone”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Policia ka njoftuar se pjesë e planit ka qenë shtimi i prezencës policore në zonat senzitive, në trafikun rrugor dhe shtimi i prezencës dhe vigjilencës policore në ambiente të hapura, në sheshe të qyteteve të ndryshme.

“Sa i përket sigurisë në trafikun rrugor, fatmirësisht nuk është evidentuar asnjë aksident me pasoja fatale, përveç atyre me dëme materiale dhe lëndime”, thuhet në njoftimin e PK-së.