Policia thotë se numri për raportimin e informatave rreth vrasjeve në Gllogjan është funksional

Policia e Kosovës ka thënë se numri i saj zyrtar për raportimin e informatave rreth vrasjes së tre personave të premten në Gllogjan është funksional.

Përmes një komunikate, Policia ka demantuar raportimet në media se numri ku qytetarët mund të lajmërohen nuk funksionon.

“Vlen të theksohet se shpërblimi i ofruar ka për qëllim t’a ndihmojë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti kriminal dhe arrestimin e tij/tyre.Andaj e-maili dhe dy numrat zyrtar të ofruar për kontakte janë funksional dhe shërbejnë 24 orë, kështu që inkurajojmë të gjithë që të kontribuojmë në interes të zbardhjes sa më parë të këtij rasti”, thuhet në reagimin e Policisë.

Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund ato t’i dërgojnë në këta numra telefoni dhe e-mail adresën:  Tel:-080019999 ose 192, dhe e-mail: [email protected]

“Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët dhe policia do ta ruaj striktë të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit, përveçse nëse personat vetë, vullnetarisht deklarohen ndryshe”, thuhet në reagimin e Policisë.

20 mijë euro shpërblim janë ofruar nga Qeveria e Kosovës për informacione që mundësojnë arrestimin e autorit të vrasjes së tre personave në Deçan.

20 mijë euro shpërblim për atë që jep informacione për autorin e vrasjes në Gllogjan