Ilustrim

Policia thotë se nuk ka të dyshuar as të arrestuar për rastin e 67 vjeçares në Dragash

Policia e Kosovës ka konfirmuar se 67-vjeçarja e cila u gjet e vdekur në fshatin Kuk të Dragashit ka hapur rast për dhunë në familje më 8 nëntor të këtij viti.

Mirëpo, në njoftimin për media të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se deri më tani për këtë rast nuk ka ndonjë të arrestuar apo të dyshimtë.

“Sektori Rajonal i  Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren e ka marr rastin për hetim të mëtejmë, të cilat kanë ndërmarr dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në bashkëveprim me prokurorin e rastit. Lidhur me këtë rast nuk ka ndonjë të arrestuar apo të dyshimtë”, thuhet në njoftim.

E ndjera, sipas policisë ka hapur rast për dhunë në familje në nëntorin e këtij muaji.

“Bazuar në të dhënat e Policisë për këtë viktimë ka qenë i hapur vetëm 1(një) rast i “Dhunës në familje” më datë 08.11.2022  dhe ky rast është proceduar në prokurori, raste tjera nuk ka pasur. Ashtu siç pohohet në kallëzimin penal të këtij rasti, dhuna e shkaktuar ndaj viktimës në atë kohe ka qenë në formë të dhunës psikike apo moskujdesit të duhur ndaj personit me nevoja të veçanta”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje policia sqaron se për këtë rast nuk ka pasur urdhër mbrojtës.

“Sipas familjarëve viktima ka pasur probleme të shumta shëndetësore (nuk ka qenë në gjendje të kujdeset për vete, nuk ka mundur të lëvizë as për nevoja bazike dhe fiziologjike). E ndjera nuk ka pasur familje të ngushtë, nuk ka pasur fëmijë, ka qenë e martuar për 15 vite por pas vdekjes së bashkëshortit është kthyer në familjen e vëllait për të jetuar”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë pas vdekjes së vëllait për të janë kujdesuar kunata (gruaja e vëllait) dhe nipi.

Tutje policia sqaron se për informatën për vdekjen e 67 vjeçares e kanë marrë dje rreth orës 05:00.

“E njëjta më herët e ka pas të raportuar një rast dhunë në familje dhe bazuar dhe në ankesën e një qytetari, nga policët hetues nga Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor Dragash, në konsultim me prokurorin dhe më pas me urdhër të prokurorit kujdestar është vendos që viktima të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim nga mjekët specialistë për të konstatuar shkakun e vdekjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë dje, në ora 12:30, mjeku kujdestar i QMF Brodosan, pas kontrollit dhe ekzamenit fillestar në vendin e ngjarjes ka vërejtur se në trupin e së ndjerës ka dyshime se ka shenja të dhunës. Me qëllim të sqarimit të shkaktarit të vdekjes nga policia është hapur rast “Vdekje e dyshimtë”.

“Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren e ka marr rastin për hetim të mëtejmë, të cilët kanë ndërmarr dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në bashkëveprim me prokurorin e rastit. Lidhur me këtë rast nuk ka ndonjë të arrestuar apo të dyshimtë”, thuhet në njoftim.

Një grua, 67-vjeçare, nga fshati Kuk i Dragashit ka vdekur në orët e para të mëngjesit të së hënës.

67-vjeçarja e cila u gjet e vdekur në fshatin Kuk të Dragashit ka qenë edhe më parë viktimë e dhunës në familje.

Vdekja e 67 vjeçares në Dragash, intervistohen familjarët me të cilët ajo jetonte