Vetura e Policisë së Kosovës

Policia thotë se nuk gjeti asgjë të dyshimtë në Stacionin e Autobusëve

Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë gjatë kontrollove në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, pas “një telefonate anonime” për mjet shpërthyes.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë”, ka thënë ajo.

Sipas Ahmetit, hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast i cili është cilësuar si lajmërim i rrejshëm.

KALLXO.com ka raportuar se pas alarmit për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, hapësirat e tij janë liruar për qarkullimin e qytetarëve.

Njësitet e Policisë sot pasdite kanë qëndruar në hapësirat e stacionit, duke kryer kontrolle përfshirë edhe në objektet tjera përreth dhe me njësinë K9 të qenve.

Fillimisht Policia e Kosovës ka thënë që sot rreth orës 15:00, kanë pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë.

“Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës. Informata është trajtuar nga ana e policisë”, thuhej në konfirmimin e Policisë për KALLXO.com.

Në Stacionin e Autobusëve tash e disa herë ka pasur “lajmërime të rrejshme” për mjete shpërthyese.