Policia thotë se ka liruar dy serbët që shoqëroi në stacion pas incidentit te Ura e Ibrit

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka liruar dy politikanët serbë të Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq dhe Stefan Velkoviq që tha se i ka shoqëruar në stacion policor dhe i ka intervistuar.

Shoqërimi ishte bërë pasi që siç thotë Policia ata kanë penguar punëtorët që ishin kontraktuar për të pastruar grafitet me mbishkrime nacionaliste afër urës në Mitrovicë të Veriut.

Sipas njoftimit, policia është detyruar t’i shoqërojë ata në stacion policor për intervistim në mënyrë që të qetësojë situatën dhe të krijojë mundësinë për vazhdimin e punës.

“Sot, me datën 08.08.2024 rreth orës 11:00, disa persona të nacionalitetit serb ishin tubuar në një lokacion afër urës në Mitrovicë Veri dhe të njëjtit kanë filluar të pengojnë punëtorët të cilët ishin të kontraktuar dhe të angazhuar nga autoriteti kompetent, për të pastruar disa grafite me mbishkrime nacionaliste, që krijojnë nxitje dhe urrejtje si “severna brigada” etj. të cilat ishin në shesh afër urës” – thuhet në komunikatën e Policisë.

Ndërkaq, Iniciativa e Re Sociale në një reagim të saj ka thënë se Policia ka përdorur forcë të tepruar.

Sipas tyre, qëllimi ka qenë të mbulimi i simboleve kombëtare serbe.

“Mbulimi i simboleve kombëtare, përdorimi i të cilave garantohet nga ligji dhe kushtetuta, i shoqëruar nga prania e policisë, tregon se qëllimi i autoriteteve ishte vetëm provokimi dhe shqetësimi i publikut” – thuhet në reagim.

Këtij reagimi i janë bashkëngjitur edhe NGO ‘Aktiv’, ACDC, CASA dhe InTER.

Për shoqërimin e Arsenijeviqit, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elashani ka folur edhe në takimin me qytetarë që po mbahet në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Elshani tha se kanë raporte të mira me secilin qytetar apo pjesëtar të shoqërisë civile në veri të vendit, në këtë rast edhe me Arsenijeviqin.

Ai shtoi se do të shohin çfarë ka ndodhur, por “na nuk largojmë flamur. Nëse largojmë flamur, e qesim tonin”.

“Aca (Aleksandri) është pak i ngushtëm, i vrullshëm, po e kqyrim këtë situatë por flasim me të, tejkalohet edhe kjo. Ai se ka vra kërkon. Na kur kemi ardh këtu në maj 2023, kemi vendos tetë flamura të Kosovës.  Në stacione policore katër, edhe në komuna katër. Ata flamura qëndrojnë aty”- tha Elshani gjatë takimit që po mbahet në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut.

Ndër të tjera, Elshani tha se nëse kishin shprehur dëshirën ta largojnë flamurin prej Zveçanit “e kishim hjek moti”, por nuk kanë insistuar.

“Mirëpo janë institucionet e shtetit  të cilat e kan përgjegjësinë e vet, për shembull Ministria e Kulturës, apo trashëgimia kulturore merret me një temë, atëherë na intervenojmë. Deri më tani nuk na është kërkuar”- shtoi ai.

Në veri të vendit sot pati edhe zhvillime të tjera. Zyrtarët shtetërorë dhe qytetarët e Mitrovicës së Veriut kanë mbajtur takim të përbashkët për Urën e Ibrit.

Gjatë diskutimit u parashtruan pyetje nga qytetarët në lidhje me hapjen e Urës së Ibrit dhe tema tjera të ndërlidhura me problemet në veri.

Qeveria e Kosovës njoftoi gjatë muajit të kaluar se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafik.

Por, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Europian, tha që rihapja e urës është çështje dialogu dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në dialog.

“Diskutimet janë duke vazhduar dhe BE-ja është duke u koordinuar ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë”- tha Stano për KALLXO.com.

BE u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm.