Policia: Të dyshuarit për rrahje me karrige ishin të dehur - VIDEO

KALLXO.com ka raportuar mbrëmë për një rrahje masive në mes dy grupeve në Gjilan.

Zëdhënësi i policisë në rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka dhënë detaje për KALLXO.com për rrahjen e cila ka ndodhur para dy netëve.

“Policia në Gjilan është njoftuar për një rast rrahje në pompën e karburanteve HIB Petrol. Nga informatat e marra, incidenti ka ndodhur në orët e vona të datës 12 gusht, në mes pesë personave të dyshuar”, ka thënë Hashani.

Ai tutje ka bërë të ditur edhe arsyen e rrahjes mes personave të dyshuar në Gjilan.

“Pas një fjalosje të ashpër ka ardhur deri tek rrahja mes tyre, duke goditur njëri-tjetrin me mjete të forta. Njëri nga personat e përfshirë në incident ka pësuar lëndime dhe ka kërkuar ndihmën e mjekut”, ka thënë Hashani.

Sipas Hashanit, policia ka arritur të identifikoj të dyshuarit e përfshirë në këtë rrahje, dhe në bazë të matjeve me alkootest ka rezultuar se të gjithë të dyshuarit kanë qenë nën ndikimin e alkoolit.

“Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa njësitet e hetimeve në Stacionin Policor në Gjilan janë duke bërë hetimet rreth rastit”, ka përfunduar Hashani.

KALLXO.com ka publikuar mbrëmë videon nga rrahja masive në Gjilan.

VIDEO e rrahjes:

Filmohet rrahja masive me karriga në Gjilan