Policia sqaron raportimet se në Graçanicë pati bastisje mbrëmë

Policia e Kosovës përmes një deklarate të përbashkët me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) ka sqaruar se në Graçanicë gjatë ditës së djeshme kanë kryer inspektime për mbikëqyrje të zbatimit të masave të pandemisë COVID-19.

Ky sqarim vjen pasi në një media serbe presidenti serb, Aleksander Vuçiq deklaroi se njësitet speciale të Policisë së Kosovës bastisën qytetin e Graçanicës që ta ndalojnë festën e tyre.

“Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik dhe mediave të cilat i referohen një veprimi të institucioneve në komunën e Graçanicës, ju informojmë se në lokacionin në fjalë sipas detyrës zyrtare Policia e Kosovës vetëm ka asistuar inspektorët e AUV-it në realizimin e detyrave të tyre, për mbikëqyrje të zbatimit të masave ndaj pandemisë COVID-19, veprime këto të cilat ndërmerren në nivel vendi, aty ku ka informacione për grumbullim apo mosrespektim të masave ndaj pandemisë”, thuhet në njoftimin e AUV-it.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një intervistë për televizionin shtetëror serb, RTS tha se njësitet speciale të Policisë së Kosovës bastisën qytetin me shumicë serbe të Graçanicës të mërkurën në mbrëmje, raporton N1. Serbët, sipas Vuçiq ishin duke e festuar Vitin e Ri pasi ata e festojnë Vitin e Ri sipas kalendarit Julian, natën e 13-14 janarit.

Vuçiq tha se ka frikë se një bastisje e policisë po përgatitet për të dielën, datën e referendumit për ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë, si një “shkak” për të ndaluar serbët e Kosovës të votojnë.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i thotë përfaqësuesve të Kosovës që t’i përmbahet marrëveshjeve, veçanërisht Marrëveshjes së Brukselit.

Ai paralajmëroi se pasojat do të jenë shumë më të këqija dhe më të gjera sesa mendojnë shqiptarët dhe bashkësia ndërkombëtare nëse institucionet kosovare nuk i lejon serbët e Kosovës të votojnë më 16 janar.