Policia sqarohet për gazin lotsjellës në protestën e veteranëve

Policia e Kosovës ka demantuar mediat se kanë përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve e cila është duke u mbajtur te Kuvendi i Kosovës.

Në komunikatën e tyre Policia, ka deklaruar se dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve iu është ofruar tretmani mjekësor.

“Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, informon dhe njëherit demanton shkrimet e publikuara në portale ku thuhet se kinse Policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, se në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, por dyshohet se lloji i gazit/tymit, është hedhur nga persona/protestues brenda masës”, ka sqaruar Policia e Kosovës.

Po ashtu, kanë njoftuar se sipas informacioneve të deritanishme një qytetar ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasoj e gazit/tymit të hedhur.

Policia ka thënë se protesta e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka qenë e palajmëruar tek institucioni i tyre.

Veteranët janë duke protestuar për të kundërshtuar mos përfshirjen e tyre në projektligjin për pagat.

Protestuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po kanë tentuar të hyjnë brenda Kuvendit të Kosovës gjatë protestës që po mbajnë në këto momente në oborr të Kuvendit të Kosovës.

KALLXO.com është duke raportuar drejtpërdrejt nga oborri i Kuvendit të Kosovës.