Policia e Kosoves Foto facebook

Policia shqiptoi mbi 18 mijë gjoba për mosrespektim të masave kundër COVID-19

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj në një konferencë për media tha se mbi 18 mijë e 300 gjoba kanë shqiptuar për qytetarët që nuk kanë respektuar masat mbrojtëse ndaj COVID-19.

Krahas kësaj, Qalaj bëri të ditur se 117 zyrtarë policor janë të infektuar me coronavirusin e ri.

“18 mijë e 320 gjoba për kundërvajtje që janë kryesisht për mos përdorim të maskës, dhe 290 raste kur është zbatuar nenet përkatëse të kodit penal. Që nga fillimi, kësaj shifres (18 mijë e 320) i shtohen edhe 73,226 fletëparaqitje qe i kemi dërgu te inspektorët. Në radhet tona kemi më pak policë të infektuar, numri aktiv është 117, ndërsa që nga fillimi kemi pasur 580 që janë infektu gjatë detyrës”, tha Qalaj.

Rashit Qalaj, Foto: Urim Krasniqi, 14 shtator 2020

Ai deklaroi se masat kundër COVID-19 janë duke u zbatuar mirë nga ana e qytetarëve të vendit, duke përjashtuar në disa raste që policët po detyrohen të i trajtojnë në një mënyrë tjetër qytetarët që nuk po i respektojnë masat.

“Jam i bindur që këto masa janë duke u respektuar mjaftë mirë nga shumica e popullatës, edhe pse kemi disa raste individuale kur po duhet nganjëherë Policia e Kosovës, të trajton në një mënyrë tjetër”, tha ai.

Lidhur më këtë kujtojmë se zyrtarët policor janë përfshirë disa herë në incident me qytetarët, pikërisht gjatë aksionit të tyre ditor për ndalimin e qytetarëve që nuk mbajnë maskë.

Në anën tjetër, numri i rasteve të reja me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 55.