Pika e përbashkët e kalimit kufitar Shqipëri-Kosovë në Morinë të Kukësit. Foto: Bashkim Shala

Policia shqiptare tregon se si u arrestua këngëtarja Fjolla Morina

Policia shqiptare ka goditur dje një rast të tentativës për të hyrë në Shqipëri me armë zjarri duke arrestuar tre persona.

Policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë me 23 fishekë luftarak si dhe një pistoletë çakmak.

Në pranga është vënë një 34 vjeçare që posedonte armën e zjarrit.

KALLXO merr vesh se bëhet fjalë për këngëtaren nga Kosova, Fjolla Morina.

Përveç Fjolla Morinës, Policia ka arrestuar edhe dy shtetasit që udhëtonin me të.

“Si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, është kaluar në vijën e dytë për kontroll më të imtësishëm, mjeti tip “Audi”, me drejtuese shtetasen F.M., 34 vjeçe, banuese në Prishtinë, Kosovë, e cila udhëtonte me shtetasit F.M., dhe F.S., banues në Kosovë e Belgjikë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Gjatë kontrollit të kryer në vijën e dytë, në çantën e dorës së shtetases F.M, Policia Kufitare gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri tip “Zoraki”, me 23 fishekë.

Ndërsa në bagazh të automjetit u gjet një pistoletë në dukje e dyshuar lodër çakmak.

Arrestimi i tyre u bë për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës për veprime të mëtejshme.