Policia shpërndan fletushka për të nxitur bashkëpunimin polic-qytetar, Arsenijeviq kritikon organet e rendit
Në sheshin “Car Llazar “ në Mitrovicë të Veriut, zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës po shpërndanin fletushka për projektin “Përmes komunikimit në shërbim dhe mbrojtje të qytetarëve”, më 14.11.2024.
Projekti synon bashkëpunimin polici-qytetar për zgjidhjen e problemeve dhe parandalimin e krimit.
Por, këtë nismë të Policisë e ka kundërshtuar politikani serb i Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq, lider i partisë Demokracia Serbe dhe grupi i tij.
Arsenijeviq dhe grupi i tij kanë mbajtur në duar një banderolë, në të cilën ishin vendosur fotografi të Policisë, mbishkrime, postime në rrjete sociale e në media.
Arsenijeviq tha për KALLXO.com se qytetarët duan një polici multietnike dhe jo polici shqiptare nacionaliste, duke kritikuar Policinë e Kosovës për sjelljen, sipas tij, joprofesionale.
“Jemi këtu me tregu fytyrën e vërtetë të Policisë. Siç shihet në foto nuk është sjellje profesionale. Ne kemi ardhur me ndihmu Policinë në promovimin që të bëhet kontakt (bashkëpunim) me qytetarët. Sjellja si në foto poshtë duhet të procedohet që qytetarët të fitojnë besimin që duan të jenë polici multietnike e qytetarëve e jo polici shqiptare nacionaliste, siç shihet në foto policë hakmarrës dhe promovimi i Shqipërisë së Madhe. Kjo e tëra është në rrjete sociale me miliona klikime. Derisa Policia sillet si e tillë është e kotë”- tha Arsenijeviq.
Me të përfunduar aktiviteti, kur Policia largoi gjësendet, të njëjtën e bënë edhe Arsenijeviqi me grupin e tij.
Derisa KALLXO.com ishte në terren nuk kishte ndonjë incident.
Ndryshe, më 13.11.2024 Policia e Kosovës ka njoftuar se në sheshin “Car Llazar” kanë shpërndarë fletushka ndërgjegjësuese, duke promovuar bashkëpunimin polici-qytetar.
“Në sheshin “Car Llazar” zyrtarë policorë të komunitetit nga Stacioni Policor Mitrovicë Veri, së bashku me zyrtarë nga Divizioni i Policisë në Bashkësi dhe Parandalim nga DPP-Prishtinë, kanë realizuar projektin “Përmes komunikimit në shërbim dhe mbrojtje të qytetarëve”, ku nga zyrtarët policorë dhe anëtarët e KLSP-ve janë shpërndarë fletushka ndërgjegjësuese tek qytetarët, duke promovuar bashkëpunimin polici-qytetar në zgjidhjen e problemeve, si dhe bashkëpunimin, me qëllim të parandalimit të krimit”- thuhet në njoftim.