Policia shpenzon 53 mijë euro për uniforma të stafit civil

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka nënshkruar një kontratë me një operator ekonomik në lidhje me furnizimin e stafit civil me rroba dimërore dhe verore.

Në tenderin e publikuar në E-Prokurim, Policia e Kosovës ka njoftuar se tenderi është i ndarë në tri pjesë, ndërsa vlera e parashikuar e furnizimit është 108 mijë e 975 euro.

I ndarë në tri pjesë, në pjesën e parë, policia parashikoi të furnizoj stafin civil me uniformë verore dhe dimërore vlera e së cilës ishte 58 mijë e 203 euro. Vlera e pjesës së dytë të tenderit ishte 40 mijë e 422 euro, ndërsa parashihej të bliheshin këpucë, çizme dhe kllompe të punës, ndërsa pjesë e tretë e tenderit me vlerë 10 mijë e 350 euro policia parashihte të blinte uniformë dimërore të modelit të uniformave të skijimit.

Nga këto tri pjesë sa ishte ndarë tenderi, Policia e Kosovës ka nënshkruar kontratë vetëm për furnizimin me uniforma dimërore dhe verore.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime në lidhje me këtë tender ndërsa Policia e Kosovës ka thënë se i gjithë aktiviteti i prokurimit ka të bëj me furnizimin me uniformë për punëtorët e PK-së më saktësisht stafin civil.

Madje ata kanë treguar edhe pse është anuluar tenderi për dy pjesët e tjera.

“Pjesa 2: Furnizim me këpucë, çizme dhe kllompe të punës dhe Pjesa 3: Furnizim me uniformë dimërore model i skijimit, është anuluar pasi që asnjë operator ekonomik nuk ka qenë i përgjegjshëm”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës drejtuar KALLXO.com.

Në E-Prokurim, janë vendosur të gjitha detajet e tenderit të cilat tregojnë edhe se numri i kompanive që kanë qenë pjesëmarrëse në këtë tender të Policisë së Kosovës për pjesën e parë kanë qenë 4, për pjesën e dytë 5 operator ekonomik ndërsa për pjesën e tretë vetëm një operator.

Në dy nga tri pjesët e tenderit, ka marrë pjesë operatori ekonomik “Arta Tex N.P.T” me seli në Pejë. Ky operator ekonomik është shpërblyer me kontratë vetëm për pjesën e parë të tenderit atë për furnizim me uniforma dimërore dhe verore për stafin civil të PK-së. Oferta e “Arta Tex NPT” ka qenë 53 mijë e 353 euro.

Ndërsa për pjesët 2 dhe 3, Policia e Kosovës ka thënë se ofertat e operatorëve ekonomik kanë qenë të papërgjegjshme.

Policia gjithashtu ka dhënë edhe arsyetimin se pse e njëjta kompani nuk ka arritur ta marrë edhe pjesën e tretë të tenderit pasi që ishte e vetmja e cila kishte aplikuar në këtë pjesë të tenderit.

“Kompania “Arta Tex” pjesa e tretë, furnizimi me uniformë dimërore (model skijimi) nuk i plotëson specifikacionet teknike te ankesi 1 i dosjes së tenderit, artikulli është pantallona dimri model skijimi, është kërkuar manzhetë në këmbë që siguron mos depërtimin e borës në brendi. Ky operator ekonomik nuk i plotëson specifikacionet teknike për pjesën e tretë), thuhet në arsyetimin e policisë.