Policia shkatërron bimë narkotike në Koshare

Policia e Kosovës në vazhdën e implementimit të planit operativ “Parandalimi i kultivimit të narkotikëve dhe kontrabandës” ka bërë identifikimin dhe shkatërrimin e disa bimëve narkotike.

Policia ka bërë të ditur se sot në Koshare gjatë zbatimit të plani operativ, në orët e para të mëngjesit ka zbuluar edhe një plantacion me të mbjella në sasi prej 212 bimë narkotike të llojit “Canabis Sativa”, me gjatësi nga 1 deri në 3 metra.

Policia ka njoftuar se në lidhje me këtë rast janë njoftuar  të gjitha njësitë relevante të policisë si dhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Pas marrjes së mostrave, me urdhër të prokurorit kompetent të gjitha bimët narkotike janë djegur në vendin e ngjarjes.

Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në luftimin dhe parandalimin e të gjitha dukurive negative që bien ndesh me ligjin.