Ilustrim, Foto: Policia e Kosovës

Policia sekuestron mjaltë në vlerë mbi 20 mijë euro

Policia Kufitare e Kosovës ka bërë të ditur se ka parandaluar një rast të tentativës për kontrabandë me mallra në kufi, ku janë sekuestruar mallra të ndryshme komerciale.

Policia njofton se ka sekuestruar mjaltë me vlerë mbi 20 mijë euro dhe pajisje të tjera.

Sipas PK-së, sot rreth orës 18:00,  është identifikuar një furgon i tipit VW LT, ngjyrë e bardhë, drejtuar nga i dyshuari me inicialet Sh.M., i cili ishte futur në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Maqedonisë së Veriut përmes rrugëve ilegale.

“Pas tentativës së tij për t’ju shmangur ndalimit policor autoritetet tona kufitare kanë arritur ta ndalojnë të dyshuarin rreth orës 18:35 në fshatin Komogllavë – komuna e Ferizajt”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia tutje thekson se gjatë kontrollit, janë gjetur 2040.00 kg mjaltë me vlerë mbi 20,000 euro, dy aparate të kafesë sipas faturës përcjellëse me vlerë 271 euro dhe mallrat tjera: kafe, filtër i kafes, si dhe gjëra tjera përcjellëse.

Vlera e këtyre mallrave, sipas Policisë, është 3,333 euro.

“Me rast është duke u marr Njësia e Hetimeve Rajonale e Drejtorisë Kufitare Lindje. Në bashkëpunim me prokurorinë përkatëse pas hetimeve preliminare malli i konfiskuar do ti dorëzohet Doganave të Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës përcakton se kushdo që duke kaluar vijën kufitare bart mallra dhe shmang kontrollin doganor, ose kushdo që duke shmangur kontrollin doganor kryen bartjen e mallrave dhe kalon vijën kufitare, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 4 vjet.