Ilustrim
Policia sekuestron mbi 20 armë pa leje që iu gjetën personave të ndryshëm gjatë kontrollave
Mbi 20 armë të ndryshme fishekë të kalibrave të ndyshëm, janë sekuestruar nga njësitet e Policisë së Kosovës kryesisht gjatë kontrollave te personat që iu kontrolluan shtëpitë apo u ndaluan për kontrolla.
Në Prishtinë, në rrugën “Justina Shkupi pak pas mesnatës së datës 13.09.2024, ishte arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri -pistoletë me një karikator dhe pesë fishekë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në rajonin e Gjilanit janë regjistruar tre raste.
Në fshatin Bushnicë të Novobërdës gjatë kontrollit tek i dyshuari mashkull kosovar është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri-pistoletë me një karikator dhe tetë fishekë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Në rrugën “Flaka e Janarit”, në Viti është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi qe gjate kontrollit ne shtëpinë e tij janë gjetur dhe konfiskuar 13 revole, një arme karabine dhe 42 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Me vendim te prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në fshatin Livoq në Gjilan është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi gjatë kontrollit në veturën të cilën ishte duke e drejtuar, është gjetur dhe konfiskuar një revole me 6 copë fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajte.
Në fshatin Gjonaj në Prizren është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti në një aheng familjar kishte shtënë me armë zjarri. Nga i dyshuari është konfiskuar një revole me gaz e cila dyshohet të jetë përdorur në rast. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një tjetër rast është raportuar në fshatin Petkoviq në Rahovec. Ngjarja ishte regjistruar më 30.08.2024 ndërsa më 13.09.2024, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe nga i njëjti është konfiskuar një pistoletë me një karikator me pesë fishekë dhe katër gëzhoja. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.