Foto: KALLXO.com

Policia sekuestron gëzhoja armësh dhe mjete piroteknike në Mitrovicë të Veriut

Policia ka njoftuar se mbrëmë rreth orës 23:30 në Mitrovicë të Veriut ka pasur grumbullim të personave ku dyshohet se janë përdorur mjete piroteknike dhe armë.

Sipas njoftimit, Policia ka bërë shpërndarjen e turmës, dhe në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja të armëve të llojeve të ndryshme si dhe disa kutia me mjete piroteknike.

Me urdhër të prokurorit  është hapur rasti “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Rasti vazhdon të hetohet nga njësitë relevante, ka njoftuar PK.

Dje janë mbajtur zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi.

KALLXO.com ka raportuar dje se dhjetëra qytetarë serbë janë nisur drejtë Serbisë për të votuar në këto zgjedhje.

Më shumë se dhjetë autobusë janë nisur drejtë Rashkës e Tutin-it me qytetarë serbë të veriut të Kosovës për të votuar në zgjedhjet në Serbi.

KALLXO.com dje ka përcjellë nga afër nisjen e qytetarëve serb drejtë Serbisë për votim për zgjedhjet parlamentare e presidenciale.

Kujtojmë se zgjedhjet serbe nuk janë lejuar që të mbahen në Kosovë, ndërsa të ashpra kanë qenë reagimet e shtetit të Serbisë karshi këtij vendimi.

Qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës protestuan në Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata që jetojnë në gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, kanë shkuar në mënyrë të organizuar në Graçanicë.

Në anën tjetër, më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.