
Policia sekuestron armë dhe municion, pas një rasti kanosjeje në Rahovec
Policia e Kosovës ka njoftuar se, më 22.12.2024, ka sekuestruar armë dhe municion në fshatin Pataqan i Poshtëm në Rahovec.
Nëpërmjet një komunikate për media është bërë e ditur se me këtë rast janë sekuestruar një pushkë gjuetie me 25 fishekë, një pistoletë me 25 fishekë, një pushkë ajrore dhe një pistoletë për sinjalizim me zë.
Policia, fillimisht, kishte pranuar një raportim lidhur me një rast të kanosjes.
Në njoftim thuhet se viktima kishte raportuar se pas një mosmarrëveshjeje, i dyshuari e kishte kanosur.
Lidhur me ankesën, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme, pasi kishte dyshime se i dyshuari posedonte armë zjarri në pronën e tij në fshatin Pataqan i Poshtëm të Rahovecit.
PK bëri të ditur se në konsultim me Prokurorin kujdestar është kryer kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse, në pronësi të të dyshuarit.
“Me vendimin e Prokurorit kujdestar, ndaj të dyshuarit është iniciuar procedura për veprat penale “kanosje” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. I njëjti është ndalur në mbajtje për 48 orë.” – njofton Policia.
Në komunikatë thuhet se Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë “mbetet e përkushtuar për garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve – duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për trajtimin e rasteve në përputhje me ligjin.”