Vetura e Policisë rumune, Foto: Wikimedia/TwoWings/Balkan Insight

Policia rumune arreston mësuesen 'gyleniste' të kërkuar nga Turqia

Policia rumune arrestoi sot një mësuese të kërkuar nga autoritetet në Ankara të lidhur me lëvizjen e klerikut turk në mërgim, Fethullah Gulen.

Busra Zeynep Zen do të dalë para një gjykatësi që do të vendosë për ekstradimin e saj, tha për BIRN një pjesëtar i të ashtuquajturit komunitet ‘gylenist’ në Bukuresht.

Gruaja ka të drejtë ligjore të qëndrojë në Rumani dhe jep mësim në Shkollën e Mesme Ndërkombëtare për Kompjuterë në Bukuresht, e cila drejtohet nga mbështetës të klerikut të mërguar.

Dhjetëra mijëra njerëz janë larguar nga puna e tyre dhe janë burgosur në Turqi për lidhjet e tyre me lëvizjen e frymëzuar nga kleriku Sufi me qendër në Amerikë, që prej grusht-shtetit të dështuar të vitit 2016 kundër presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Erdogan ka fajësuar Gulenin për grusht-shtetin – të cilin ai e ka mohuar – dhe e akuzon atë për udhëheqjen e një organizate terroriste. Autoritetet turke kanë ndjekur në mënyrë aktive anëtarët e lëvizjes jashtë vendit, shumë prej të cilëve drejtojnë shkolla dhe projekte të mirëqenies në dhjetëra vende në të gjithë botën.

Kjo ndjekje ka qenë veçanërisht e ashpër në rajonin e Ballkanit. Në Moldavi, me kërkesë të Ankarasë, shërbimi sekret lokal në mars të vitit të kaluar arrestoi babanë e mësueses së arrestuar në Rumani, Turgay Sen. Sen ishte drejtor i një rrjeti të shkollave të lidhura me Gulen në Moldavi. Ai u arratis për në Kosovë, ku prej atëherë është bërë qytetar i Kosovës. Ndërkohë, disa gylenistë të dyshuar janë dërguar nga Kosova në Turqi vitin e kaluar.

Mbështetësit e Gulen dhe aktivistët e të drejtave të njeriut akuzojnë Erdoganin për kryerjen e një gjuetie të pashembullt të shtrigave kundër tyre. Turqia gjithashtu akuzohet për ushtrimin e presionit ndaj qeverive të huaja për ekstradimin e Gylenistëve të dyshuar.