Ilustrim

Policia qëllon qenin që hyri në oborrin e një shtëpie në Skenderaj

Policia në Skenderaj sot rreth orës 07:00 ka pranuar një thirrje emergjente, ku anëtarët e një familjeje në fshatin Klinë e Epërme në Skenderaj thuhet se ishin të rrezikuar dhe bllokuar si pasojë e agresivitetit dhe sulmit nga një qen i tërbuar që kishte hyrë në oborrin e tyre.

Sipas raportimit, një nga anëtarët e familjes kishte pësuar lëndime nga kafshimi i qenit.

“Mbi bazën e informacionit është reaguar me urgjencë nga njësia policore, me të arritur në vendin e ngjarjes nga oborri i shtëpisë qeni i tërbuar ka sulmuar dhe rrezikuar edhe zyrtarët policorë”, ka njoftuar policia.

Tutje në njoftimin e policisë thuhet se “në rrethana të një situate të tillë, me qëllim të parandalimit dhe evitimit të rrezikut nga qeni, zyrtarët policorë në mënyrë të kontrolluar janë detyruar të bëjnë zbrazje të armës në drejtim të neutralizimit të agresivitetit të qenit”.

Pas veprimeve të ndërmarra janë krijuar rrethana për t’i ofruar tretman mjekësor personit të lënduar nga kafshimi i qenit të tërbuar./21Media