I vendoset shiriti ndërtesës së strukturave paralele në Lagjen e Boshnjakëve, Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com
Policia publikon pamje të aksionit për mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri
Policia e Kosovës ka publikuar pamje të aksionit që zgjati për disa orë kundër institucioneve paralele e që përfundoi me ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës.
Policia tha se janë mbyllur këto komuna paralele: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna ilegale e Mitrovicës, Komuna ilegale e Zveçanit, Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe Komuna ilegale e Leposaviqit.
Policia ka bërë të ditur më 30.08.2024 edhe çfarë provash materiale janë konfiskuar në këto institucione ku u zhvilluan kontrollat policore.
Sipas njoftimit të Policisë, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte.
“Po ashtu Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave policore në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar; një xhaketë ushtarake, një çantë krahu, disa fishekë me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 30.08.2024.
Policia shton se i tërë aksioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, përderisa ka përfunduar në orët e mbrëmjes pa ndonjë incident apo rast për t’u veçuar, ndërsa procedurat e mëtejme hetimore do të vazhdojnë nga njësitet relevante policore nën autorizimin e prokurorisë kompetente.
“Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, zbatimi vendimeve të institucioneve dhe ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase, si dhe ofrimi i sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, mbetet detyrë dhe përkushtim i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës” – kanë theksuar Policia.