Policia e Kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Policia prapë me thirrje për konkursin për policë në veri

Policia e Kosovës më 4 janar kishte shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak, turq, goran, rom, ashkali, egjiptas, kroat, malazez dhe maqedonas.

Përmes një njoftimi, Polica kishte bërë të ditur se vendi i punës do të jetë Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut.

Konkursi në fjalë ishte paraparë që të mbetej i hapur deri më 26  janar, mirëpo në po të njëjtën ditë, nga ana e Policinë ishte njoftuar se afati për aplikim do të zgjatej edhe për 10 ditë të tjera.

Ditëve të fundit, përmes njoftimeve në forma të ndryshme Policia vazhdimisht ka bërë thirrje për aplikim në këtë konkurs.

Një thirrje e tillë është bërë edhe sot përmes një video mesazhi.

Për këtë konkurs që do të jetë i hapur deri më 10 shkurt 2023, Policia dje kishte lëshuar një njoftim ku kishte thënë se janë duke vazhduar me kampanja sensibilizuese për konkursin e hapur për komunitetet pakicë.

“Policia e Kosovës, përmes video mesazheve, fushatave sensibilizuese dhe takimeve zyrtare që po mbahen në të gjitha rajonet, vazhdon t`i inkurajojë dhe ftojë qytetarët e të gjitha komuniteteve pakicë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës”- thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se këtë kampanjë e kanë përkrahur edhe personalitete të larta nga institucione të ndryshme ndërkombëtare.

Në nëntor të vitit të kaluar, qindra zyrtarë policor serbë patën dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, në shenjë proteste për masat e qeverisë për targat ilegale serbe në veri të vendit.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.