Policia pranon se e intervistoi qytetarin që xhiroi "blerjen" e votave

Policia e Kosovës me anë të një sqarimi ka treguar veprimet e ndërmarra në lidhje me videon e publikuar nga KALLXO.com ku një qytetar nga Prishtina tregon se si është ndaluar të enjten nga policia pasi kishte xhiruar me telefonin e tij disa persona në një shoqatë bamirëse, duke dhënë pako me ushqim, në këmbim të votës.

Policia përndjek qytetarin që filmoi ‘blerjen’ e votave

Policia ka treguar se më 30 shtator kanë pranuar një ankesë nga PZAP.

“Me pranimin e kësaj ankese është bërê analizimi i shkresave dhe materialit te bashkëngjitur dhe në koordinim me Prokurorin kompetent është filluar me veprime hetimore nën dyshimin e kryerjes se VP ,,Dhënia ose marrja e ryshfetit ne lidhje me votimin” sanksionuar nga neni 212 i KPRK-se”, thuhet në reagimin e policisë.

Sipas reagimit të policisë, nga video incizimi shihej se vepra dyshohej se është kryer gjate shpërndarjes se ndihmave me qe raste është arritur te identifikohet lokacioni se ku janë ndare këto ndihma i cili ishte ne Prishtine dhe behej fjalë për nje shoqatë humanitare

“Janë intervistuar dy punëtore te shoqatës ne cilësi te dëshmitarëve. Me qellim te identifikimit te akterve qe e kanë bere video incizimin nga ana jone janë lokalizuar dhe tërhequr kamerat e sigurisë . Pas analizimit te video incizimeve te datës 28.09.2019, është arritur te identifikohet vetura ne te cilën është bere video-incizimi”, thuhet tutje në reagim.

Policia për KALLXO.com ka thënë se pas verifikimeve te bëra është identifikuar pronari i veturës i cili ishte B.S. dhe pas verifikim te tij ka rezultuar se ka te kaluare kriminale .

“I njëjti është ftuar për intervistë i cili me datë 03.10.2019 ne orën 13:00 është paraqitur ne orën e caktuar . Në konsultim me prokurorin te njëjtit i është thirrur avokati sipas detyrës zyrtare mirëpo i njëjti ka kërkuar qe te angazhoj avokatin e tij dhe ashtu është vepruar, avokati i tij ne polici është paraqitur rreth orës 14:20”, ka thënë policia.

“Gjatë intervistimit i dyshuari ne deklaratën e tij e ka përmendur edhe një person tjetër ish bashkëshorten e tij si dëshmitare e cila është thirr që të merret deklarata qe te vërtetohet deklarimi i B.S. dhe pas  marrjes se kësaj deklarate i njëjti në orën 18:40 është liruar nga stacioni i  Policisë NJHP- Prishtinë”, tha ai.

KALLXO.com ka publikuar edhe intervistën ku, qytetari thotë se pas 2-3 dite pasi ka xhiruar, është thirrur nga policia dhe është intervistuar e më pas ndaluar.

“Kam përfunduar në polici sepse e kam parë një krim  që ishte duke u bërë në një shoqatë bamirëse. Aty kam parë që po jepen fletushka për votime, edhe e kam bërë një klip të një zonjës kur ia kanë japur fletushkën dhe i kanë thënë që 5 muaj keni me marrë kësi paketa (ndihma). Dhe e kam parë të arsyeshme që ta inqizojë. Policia më ka thirrë pas 2-3 dite, ma ka konfiskuar telefonin, më kanë futur në burg dhe më kanë bërë presione në  ekstrem të dhunshme, të ndryshme”, ka thënë qytetari.

Policia tregon se qytetari nuk është dërguar në mbajtje.

“Vlen te ceket se i  njëjti për asnjë moment s’ka qene i dërguar ne Qendër te Mbajtjes por ne zyre te intervistimit. Te gjitha veprimet hetimore janë ndërmarr ne koordinim me Prokurorin dhe B.S. ende është i dyshuar deri ne sqarimin e te gjitha rrethanave ne lidhje me këtë raste”, ka thënë policia për KALLXO.com.

“Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës edhe njëherë inkurajon qe te gjithë qytetaret te raportojnë rastet ne organet kompetente Polici apo Prokurori  qe menjëherë te fillohen te identifikohen te dyshuarit me qellim mbarëvajtjen e procesit te zgjedhjeve”, ka thënë policia.