
Policia po kryen hetime për zjarrin e mbrëmshëm në "Kalabri"
Dy vetura të djegura tërësisht dhe katër të tjera të dëmtuara, është bilanci i zjarrit që shpërtheu në një garazh nëntokësor në lagjen “Kalabria” të Prishtinës, rreth orës 18:00 të enjten.
KALLXO.com ka qëndruar në vendin e ngjarjes, ku përveç veturave janë dëmtuar edhe kabllot elektrike dhe për pasojë dy ndërtesa kanë mbetur pa rrymë.
Hetuesit policor për gati dy orë kanë qëndruar në vendin ku janë djegur veturat për të kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa rasti është duke u hetuar. Policia ka marrë edhe pamje nga kamerat në lokalet afër vendit të ngjarjes. Megjithatë, Policia nuk dha detaje duke shtuar se duhet pritur përfundimin e hetimeve për të dalë me një përgjigje.
Banorët të cilët folën për KALLXO.com, ngjarjen e përshkruan si të tmerrshme.
“Jemi kanë t`u nejtë edhe t`u këqyrë TV. E kam dëgjuar një krismë të madhe në derë. Mendova mos është dikush i dehur a i çmendur. Kur e kam hapë derën, s’kam pa asgjë prej tymi. Ndoshta edhe personi që ka trokitur në derë ka qenë aty, por nga tymi nuk e kam pa. Kemi dalë, nuk e kemi ditë nëse po digjet një banesë apo diçka tjetër. Pasi kemi zbrit poshtë, e kemi marrë një informatë se po digjet një veturë në garazhin e përbashkët, është shumë e madhe. Ka qenë e tmerrshme, se nuk e kemi ditë çka po ndodhë. Ka pasur raste kur njësia speciale mbi njëri-tjetrin i kanë nxjerrë banorët nga tymi”- tha Haki Shala, banor i ndërtesës ku u dogjën veturat.
Ndërkohë, për shkak të ekspozimit në tym, 13 persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare. Drejtori i Klinikes Emergjente, Naser Syla, konfirmoi për KALLXO.com se të gjithë janë liruar për në shtëpi.
Zjarri në objektin banesor në Prishtinë, Policia: 13 personave u është ofruar tretman mjekësor