ILUSTRIM Të burgosur në Burgun e Dubravës - Foto: KALLXO.com

Policia po heton vdekjen e të burgosurit që po trajtohej në Klinikën Infektive

Policia tashmë ka nisur që të hetoj edhe vdekjen e një personi i cili ishte në masë të paraburgimit në Qendër të Paraburgimit në Prishtinë, ndërsa po trajtohej në Klinikë Infektive ku edhe vdiq më 06.01.2025 rreth orës 21:45.

“Është raportuar se viktima mashkull kosovar i cili kishte qenë në Qendër të Paraburgimit,  që rreth orës 12:00 ishte dërguar për tretman mjekësor, ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit,  trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti është nën hetime”- thuhet në njoftimin e policisë ndërsa rasti është iniciuar si hetim mbi vdekjen.

KALLXO.com raportoi se një i burgosur i cili po trajtohej në Klinikën Infektive të QKUK-së ka vdekur të hënën rreth orës 21:50 minuta. Kështu ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një njoftimi.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve njoftojnë opinionin publik se sot, rreth orës 21:50, në Klinikën Infektive të SHSKUK-së, ka ndërruar jetë i burgosuri A. M.”- thuhet në njoftim.

I njëjti sipas njoftimit ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë më 14.11.2024.

“Në momentin e pranimit, gjendja e tij ka qenë stabile, por me të dhëna për sëmundje paraprake të mushkërive. Ai ishte duke u trajtuar për një gjendje gripale, e cila ka progreduar në mushkëri. Për këtë arsye, është dërguar për kontroll specialistike pulmologjike. Në Klinikën e Emergjencës në SHSKUK, janë konsultuar radiologu, pulmologu dhe kirurgu torakal, dhe pacienti është transferuar në Klinikën Infektive”- thuhet tutje në njoftimin e SHKK-së.

“Gjendja e tij ka filluar të përkeqësohet dhe, përkundër angazhimit të stafit të kësaj klinike, nuk është arritur që pacienti të mbahet në jetë. Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikojë shkakun e vdekje”- përfundon njoftimi.