Foto: AGK
Policia po heton sulmin ndaj ekipit të ATV-së në Zveçan
Gazetari i televizionit ATV, Fatlum Jashari dhe kameramani Blend Thaçi kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një sulmi në drejtim të veturës së tyre që ndodhi dje në Zveçan.
Vetura televizionit ATV është sulmuar me gurë.
Ky rast që është cilësuar si sulm dhe dëmtim apo asgjësim i pasurisë po hetohet nga ana e Policisë së Kosovës, e po ashtu është njoftuar edhe prokurori i shtetit.
Në raportin 24-orësh policor është thënë se një grup i personave të dyshuar, deri më tani të pa identifikuar, kanë sulmuar një ekipe të gazetarëve, me ç’rast i kanë thyer xhamat e veturës.
Në anën tjetër, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se sulmi ndaj ekipit ka ndodhur gjatë kohës sa ata kanë qenë duke përcjellë zhvillimet e fundit në këtë komunë.
“Sipas mediumit, disa persona të maskuar, e kanë sulmuar me gurë veturën derisa ishte në lëvizje, e që si pasojë lëndime të lehta trupore kanë marrë gazetari Fatlum Jashari dhe kameramani Blend Thaçi, si dhe iu janë thyer xhamat veturës”- thuhet në reagimin e AGK-së.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë thirrje Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare atje të krijojnë kushte më të mira për gazetarët.
Sulmohet me gurë vetura e ATV-së në Zveçan, lëndohen gazetari dhe kameramani