Policia po heton mënyrën e ardhjes së Kadri Shalës nga Turqia në Kosovë

Policia e Kosovës ka filluar të hetojë mënyrën e ardhjes së Kadri Shalës, të dyshuarit për shpëlarje parash në rastin e ‘avullimit’ të mbi 2 milion eurove prej Thesarit të Shtetit, nga Turqia për në Kosovë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Drejtori i Departamentit për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në PK, Bashkim Spahiu.

Spahiu nuk dha ndonjë detaj në lidhje me ardhjen e Shalës nga Turqia në Kosovë, por shpjegoi se janë duke u trajtuar rrethanat e rastit.

“Nuk mundemi me deklaru asgjë jemi në fazë të hetimeve. Për këtë çështje e kemi një ekip hetimor i cili është duke trajtuar rrethanat e rastit duke përfshirë edhe për këto që po pyesni. Unë po them se jemi në fazën hetimore dhe target i hetimeve është edhe ajo pjesa e cila po ceket nga ju në raport me lëvizjet e tij”, tha Spahiu për KALLXO.com.

Në lidhje me rastin ka filluar të grumbullojë informacione edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

“Pas raportimeve të ndryshme në media Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar grumbullimin e informacionit në lidhje me këtë rast në kuadër të një hetimi preliminar”, thuhet në një përgjigje drejtuar KALLXO.com.

Kadri Shala tri ditë më parë u dorëzua te organet e rendit pas disa ditës sa ishte në arrati.

Vet Shala kishte treguar se kishte qenë në Turqi. Shala po dyshohet se ka kryer veprën penale të shpëlarjes së parave.

Më 20 tetor të këtij muaji, Ministria e Financave njoftoi për një vjedhje jo të zakonshme nga Thesari i Shtetit.

Mbi 2 milionë euro ishin ‘avulluar’ nga Thesari i Shtetit në katër faza të ndryshme. Në lidhje me këtë rast janë arrestuar dy persona ndërsa një tjetër ende është në arrati.

Bëhet fjalë për Labinot Grudën, zyrtar në Ministrinë e Financave, si dhe Kadri Shalën përfaqësues ligjor në Kompaninë LDA Group SHPK, kompania në të cilën janë transferuar paratë nga thesari.

Ministria e Infrastrukturës në një konferencë ka thënë se paratë e ‘avulluara’ janë arsyetuar në disa projekte.

Në një konferencë të Ministrisë së Infrastrukturës lidhur me skandalin e vjedhjes së dy milionë eurove, sekretari i kësaj ministrie, Izedin Bytyqi, tha se informatën për transaksion të dyshimtë e ka marrë më 19 tetor.

Sipas tij në të njëjtën ditë është lajmëruar edhe Ministria e Financave kurse lajmi i dal në portale për raportim të vonshëm është gënjeshtër.

Rrëfimi i Kadri Shalës për skandalin e 2 milionëve