Policia parandalon vjedhjen e drurëve, arrestohet si i dyshuar zyrtari i Agjencisë Pyjore

Policia Kufitare në Gjakovë ka intervenuar në zonën e Bjeshkës Bajshe – Istog pasi kanë pranuar informatën së disa persona janë duke vjedhur drurë.

Sipas njoftimit të Policisë, menjëherë pas pranimit të informatës zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime operative dhe në Bajshe kanë ndaluar kamion me targa vendore, ku pas verifikimit nga zyrtarët policorë është konstatuar se në automjet ka drurë teknikë bredhi pa dokumentacione përkatëse.

“Janë iniciuar rastet e vjedhjes së pyllit, ku dy të dyshuarit me iniciale N.Z (1989) dhe V.H (1982) shtetas kosovar me urdhër te prokurorit janë ndaluar për 48 orë. Gjatë trajtimit/hetimit të rasteve  nga njësiti i  hetimeve rajonale, ka zbuluar se në rast ka elemente të dyshimit për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana një zyrtari të APK-së”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Lidhur me rastin është  njoftuar prokurori i rastit është iniciuar edhe rasti  për – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe me urdhër të prokurorit i dyshuari po ashtu ndalohet për 48 orë.

Masa drusore (8.50 m ᶾ) është sekuestruar, sikurse edhe dy automjetet dhe një telefon, për procedura të mëtejme hetimore.