Policia parandalon një konflikt mes nxënësve të dy shkollave në Prishtinë, arreston 11 prej tyre

Policia e Kosovës ka parandaluar një konflikt mes nxënësve të dy shkollave në Prishtinë.

Në një prononcim për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti ka thënë se nxënësit kishin lënë një takim për të “zgjidhur një mosmarrëveshje mes tyre”.

“Pas marrjes së informatave se personat në fjalë kishin lënë një takim për të ‘zgjidhur’ një mosmarrëveshje mes tyre, ka qenë reagimi i shpejtë i policisë ai që ka mundësuar arrestimin e 11 personave”- ka deklaruar Ahmeti për KALLXO.com.

Rasti ka ndodhur sot rreth orës 13:30 dhe sipas Ahmetit, konflikti është parandaluar nga njësiti me rroba civile që operojnë në afërsi të shkollave.

“Zyrtarët policorë të stacionit Jugu në Prishtinë, respektivisht të njësitit me rroba civile që operojnë në afërsi të shkollave, sot rreth orës 13:30, kanë parandaluar një konflikt mes disa nxënësve në afërsi të një shkolle në kryeqytet”- ka theksuar ajo.

Rasti po trajtohet në koordinim me prokurorin e shtetit.